Kuvendarë nga pozita e opozita në Shtime, shpeshherë i lënë anash interesat politike për t’i dalë në ndihmë kërkesave të qytetarëve. Kështu në mbledhjen e fundit ata kanë ngritur një varg kërkesash për disa punime që nuk po realizohen nga ekzekutivi.
Fillimisht Asllan Beqa, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kanalet e ujerave atmosferike që përshkon rrugën prej urës në fshatin Petrovë e deri te rruga “Qorr Ilazi” në Reçak po paraqet telashe. “Kanë pasur telashe sa herë që ka të reshura të shiut. Shpresojmë që drejtoria në fjalë ta marrë përsipër dhe ta rregulloi atë kanal atmosferik Pastaj, krasitja e drunjtëve në rrugën “Fadil Rashiti” te zona e Noredimes në Mollopolc për shkak se janë duke pasur vështirësi automjetet të qarkullojnë në atë rrugë, për shkak se drunjtë janë zgjeruar shumë me degë”, ka thënë Beqa, teksa ka shtuar se edhe në rrugën “William Walker” banorët po përballen me disa telashe shkaku i punimeve në rrjetin e kanalizimit, por që rruga nuk është kthyer në gjendjen e më pashme
E, kuvendari i pavarur, Reshat, Mujota, ka kritikuar qeverisjen lokale për një varg punimesh që nuk po realizohen. “Edhe pse drejtoria për Shërbime Publike e ka me dije se banorët e fshatit Mollopolc kanë problem me rrjetin e kanalizimit. Është parë gjendja aty, andaj duhet të intervenohet sa më shpejtë sepse kanalizimi po kalon nëpër pronë private dhe jemi duke e dëmtuar një qytetar në pronën e vetë, andaj duhet me urgjencë me intervenua’, ka thënë Mujota. Sipas tij, të njëjtat probleme janë edhe me ndriçimin publik në fshatin Mullopolc, andaj sipas tij, ka qenë mirë me dalë ekzekutivi në terren dhe me e pa gjendjen dhe telashet e qytetarëve. “Drejtorët komunal që s’po marrin pjesë në mbledhje po e injorojë veten, andaj kërkojmë që ata të vijnë dhe ta marrin përgjegjësinë për të cilat janë emëruar. Le ti përgjigjen qytetarëve e jo mua””, ka thënë Mujota.
Kërkesa të ndryshme kanë ngritur edhe kuvendarët e tjerë nga pozita e opozita në Shtime. Raporton/Rrjeti.Info.