Thursday, December 5, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeIkja e Sekiraqës, avokati thotë se është në spital jashtë Kosovës, ish...

Ikja e Sekiraqës, avokati thotë se është në spital jashtë Kosovës, ish -kryehetuesi: Serbia vendi më i sigurt për të

Arratisja e Enver Sekiraqës u rikthye në një dramë të vërtetë. Akuza në drejtim të gjyqësorit për lënien në liri të tij, e shkarkimin i gjyqtarit  të rastit të Sekiraqës janë dy momentet kryesore të kësaj ngjarje që për shumë vite nuk pati epilog përfundimtar. Rasti për shumë herë pati vendim e u rikthye në rigjykim. Përfundimi, Sekiraqa shfrytëzoi rastin e mbrojtjes në liri dhe u arratis. Policia ende s’ka rënë në gjurmët e tij. Besnik Berisha që foli si avokat i tij tha se klienti i tij ndodhet në një spital jashtë vendit. Ndërsa ish kryehetuesi Rrahman Sylejmani tha se Serbia është vendi më i sigurt për të.

Arratisja e Enver Sekiraqës, i dënuar me 25 vjet burgim për shtytjen në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza zgjoi skenën politike dhe gjyqësore në vend. Akuza të rënda nga krerët institucionalë u bënë në drejtim të gjyqësorit, teksa nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftuan dje se e kanë shkarkuar gjyqtarin Agim Kuçi. Ky i fundit pati vendosur që ta lë të lirë Sekiraqën deri në përfundimin e vendimit, ndonëse gangsteri i Prishtinës u dënua me 25 vjet burgim në fillim të majit.

“Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ishte kryeministri Albin Kurti ai i cili dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, tha se arratisja e Sekiraqës është dështim i sistemit gjyqësor.

“Të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin [Riza] e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pa shoq, i shkathët në detyrë e shumë njerëzor me qytetarët. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk bëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, ka deklaruar Kurti.

Akuza në drejtim të gjyqësorit për këtë rast kishte hedhur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo tha të shtunën se lënia në liri e Sekiraqës është qasje joprofesionale e gjyqtarëve.

“Dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht. Kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës. Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, pati thënë Haxhiu.

Sekiraqa i pakapshëm për policinë

Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Express se ende nuk kanë rënë në gjurmët e Enver Sekiraqës.

I njëjti është duke u kërkuar që nga 17 maji.

“Ashtu siç keni qenë të informuar edhe më parë lidhur me të gjitha veprimet e mëhershme të Policisë së Kosovës në lidhje me zbatimin e Aktvendimit të Gjykatës se Apelit për të pandehurin Enver Sekiraqa, ju informojmë se Policia e Kosovës sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor me datë 17, 18 dhe 19.05.2024, e ka kërkuar të njëjtin në adresën e banimit të tij, por i njëjti nuk ishte gjetur. Meqë i njëjti nuk ishte hasur në shtëpi, Policia e Kosovës përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, ndërsa me datën 20.05.2024, me raport njoftues është njoftuar Gjyqtari i rastit, se i pandehuri është kërkuar në adresën e banimit dhe nuk është gjetur”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.

Më tutje, ata thonë se Policia ka ndërmarr të gjitha veprimet për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare, drejtoritë rajonale policore dhe mbetet në kërkim të pandehurit.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare, drejtoritë rajonale policore dhe mbetet në kërkim të pandehurit për zbatim të Aktvendimit të Gjykatës se Apelit dhe vendimeve të organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani tha në Frontal në T7 se “mund të ndodh që është edhe në Kosovë”, por tha shtoi se kjo është më pak e mundshme sesa të ketë ikur jashtë vendit.

“Mund të ndodhë që është në Serbi apo Maqedoni”, tha ai. “Njerëzit e lidhin mbështetjen e tij, ndikimin e tij… Ai ka pasur njerëz që e kanë mbështetur edhe në Serbi, por edhe në vendet tjera”, tha ish-koloneli.

Për arratisjen e Sekiraqës foli edhe Besnik Berisha në cilësinë e avokatit të tij

“Enver Sekiraqa është në spital duke u trajtuar me probleme shëndetësore serioze. Të cilat kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe për të cilat është trajtuar dhe a kërkuar leje dalje e shoqërim nga Polica”, ka thënë avokati i tij, Besnik Berisha, në “FIVE”.

“Për shkak të sigurisë së tij personale…nuk mund të zbulojmë këtë” shtoi ai.

Arratisja e Enver Sekiraqës, në fillim të majit u dënua me 25 vjet, por s’ishte në burg- çfarë dihet deri tash

I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim./Gazeta Express/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com