Wednesday, May 22, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeShpallet Gjendje Emergjente për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në territorin e...

Shpallet Gjendje Emergjente për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në territorin e Komunës së Ferizajt

Në lidhje me gjendjen e krijuar ditëve të fundit me grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në territorin e Komunës së Ferizajt, si pasojë e grevës së paligjshme dhe të pakuptimtë të një pjesë të departamentit operativ përkatësisht shoferëve të kategorisë C në KRM Pastërtia, komuna e Ferizajt sqaron se greva është e jashtëligjshme. ’’E jashtëligjshme është kjo grevë, sepse si e tillë, në bazë të legjislacionit në fuqi ku bëjnë pjesë këto shërbime, sikurse edhe shërbimet emergjente, të sigurisë etj, greva e punonjësve të pastrimit – mirëmbajtjes është e NDALUAR me Ligjin për Grevën. Pra, kemi të bëjmë më një veprim të paligjshëm dhe që rrezikon në masë shëndetin publik’’, thuhet në njoftimin e komunës. Raporton /Rrjeti.Info.

Sipas kësaj komune është e pakuptimtë, e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme është kjo grevë, me kauzën e rrejshme të ngritjes së pagave, ngaqë e vërteta është krejtësisht tjetër. ‘’Në vazhdimësi Kompania “Pastërtia” bazuar në rritjen e të hyrave të saj, ka bërë edhe rritjen e pagave të punonjësve të pastrimit. Pra, duke u rritur të hyrat e kompanisë, janë rritur edhe të hyrat e punonjësve të saj, përfshirë pagesën për shujtën e punonjësve, andaj kjo grevë shpërfaqë paarsyeshmërinë e plotë në pikëpamje të kauzës që përfaqëson’’,thuhet më tej në njoftim.

Sa i përket pagave, aktualisht paga minimale e punëtorit fizik në KRM Pastërtia është 450€ neto deri në 580€ neto – varësisht nga angazhimi, gjersa për shoferët paga minimale në KRM Pastërtia është 490€ neto deri në 610€ neto varësisht nga angazhimi, rritje page e vazhdueshme kjo që e kemi premtuar dhe po e përmbushim, bazuar në performancën e kompanisë. Shto kësaj, edhe sa i përket kushteve të punës, që janë përmendur në disa raste nga nxitësit e grevës, më lejoni të njoftoj bashkëqytetarët ferizajas, se Kompania Pastërtia, vazhdueshëm ka investuar e po investon në përmirësimin e kushteve të punës së punonjësve të saj, veçanërisht punonjësve të departamentit operativ.

‘’Këtu, mjafton të ilustrojmë se ditë më parë, punonjësit e operativës së KRM “Pastërtia” janë pajisur me uniforma të reja, pajisje pune si dhe mjete mbrojtëse për shëndetin e punonjësve, pa lënë anash faktin se Komuna e Ferizajt, ka investuar edhe në makineri të reja për këtë kompani dhe është në përfundim të punimeve për objektin e ri të KRM “Pastërtia”. Mbështetja jonë e vazhdueshme për KRM Pastërtia, përveç tjerash, është edhe me lidhjen e dy kontratave të shërbimeve, njëra deri në vlerën 700,000€ për shërbimet që kryhen nga kompania dhe kontrata bazë mbi grumbullimin e mbeturinave në ekonomi familjare dhe biznese’’,thuhet më tej në njoftim.

Sipas Komunës duke gjykuar se këto veprime të paligjshme dhe të pakuptimta, të thirrura rrejshëm në emër të grevës dhe kauzës së rrejshme që përfaqësojnë, kanë për pasojë rrezikimin e shëndetit publik, duke parë gjendjen e mos grumbullimit të mbeturinave në territorin e Ferizajt, Komuna e Ferizajt, përkatësisht Kryetari i Komunës, sot ka marr vendim për shpalljen e gjendjes emergjente për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave, përmes së cilës shpallet mobilizimi i gjithë mekanizmit komunal dhe akterëve tjerë relevant, që përfshijnë Kompaninë “Pastërtia” dhe mekanizmat tjerë të nevojshëm, që të eliminohet rreziku potencial për shëndetin e qytetarëve. ‘’Komuna e Ferizajt, Kryetari i Komunës, vlerësojnë punën, sakrificën dhe angazhimin e punonjësve të pastrimit për të cilën jemi angazhuar me mundësitë tona buxhetore ta ndihmojmë në vazhdimësi, porse me përgjegjësinë për shëndetin e qytetarëve, kemi detyrimin ligjor ta ndërmarrim këtë veprim’’,thuhet në njoftim. /Rrjeti.Info.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com