Tuesday, January 21, 2025
No menu items!
spot_img
BallinaBlogFOTO | Skandal në Shëndetësinë e Shtimes: Hiqet emri i Dr. Vezir...

FOTO | Skandal në Shëndetësinë e Shtimes: Hiqet emri i Dr. Vezir Bajramit nga vula e QKMF-së

Redaksia: Shtimepress

Në Kosovën ku gjithçka mund të ndodhë, nderimi për figurat kombëtare duket se është bërë një çështje e diskutueshme. Ka disa ditë që, në Shtimen e “çliruar”, emri i Dr. Vezir Bajramit, mjekut që ka kontribuar shumë për komunën e Shtimes dhe për Kosovën, u hoq nga vula e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Shkruan/ ShtimePress.

Po kush e mori këtë vendim të “zgjuar”? QKMF në Shtime udhëheqet nga Ilaz Kadriaj nga Deçani, i preferuari dhe miku i kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, njohur më shumë për prezencën e tij në tubimet politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, është arkitekti i këtij “revolucioni administrativ”.

Ndryshimi i vulës së QKMF-së “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime është në kundërshtim me Statutin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Statuti përcakton qartë se:

Neni 1 i Statutit thekson se vula zyrtare duhet të përmbajë emërtimin “Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” dhe çdo ndryshim apo përdorim i saj duhet të autorizohet nga drejtori dhe të respektojë procedurat ligjore.

Neni 4 përcakton se selia dhe emërtimi i institucionit janë të lidhura ngushtë me emrin e Dr. Vezir Bajramit, që është pjesë e identitetit juridik dhe historik të QKMF-së.

Por çfarë ka bërë Dr. Vezir Bajrami për ta merituar një trajtim të tillë? Ish-nënkryetar i Komunës së Shtimes, një aktivist i njohur për zhvillimin e komunitetit dhe një figurë politike që ka kontribuar për shumë vite, Bajrami është një shembull i përkushtimit ndaj atdheut dhe qytetarëve. Lufta e tij për lirinë dhe angazhimi i tij pas luftës kanë lënë një trashëgimi të pasur, të cilën askush nuk duhet ta fshijë për shkak të interesave politike të momentit.

Ish-pjesëtar i UÇK-së – një doktor që luftonte për lirinë, mjeku i parë që dokumentoi Masakrën e Reçakut – duke u kthyer në një dëshmitar të zëshëm të krimeve kundër njerëzimit, ish-nënkryetar i Komunës së Shtimes – kontribuues aktiv për zhvillimin lokal, një figurë politike dhe intelektuale në PDK – në Shtime, por duket se për disa, kjo është “mëkat i pafalshëm”.

Nëse këto arritje nuk mjaftojnë për ta mbajtur emrin e tij në një vulë, atëherë çfarë mjafton? Ndoshta një selfie në mitingjet e Vetëvendosjes ose ndonjë “postim revolucionar” në rrjetet sociale?

Ky ndryshim i vulës nuk është një detaj burokratik i parëndësishëm. Është një sulm ndaj trashëgimisë dhe simbolikës së një figure që Shtimja e respektonte dhe nderonte. Kur një institucion që duhet të shërbejë qytetarët, bëhet arenë për beteja politike dhe hakmarrje të vogla, çfarë mund të presim më pas? Ndoshta heqjen e flamurit kombëtar nga zyrat, sepse “nuk përkon me politikat e reja”?

Kjo nuk është vetëm një çështje simbolike, por një kërkesë për respekt dhe dinjitet ndaj atyre që kanë ndërtuar këtë komunitet me gjak, djersë dhe përkushtim.

Nën drejtimin e Kadriajt, QKMF e Shtimes po duket më shumë si një filial i partisë sesa si një qendër shëndetësore. Ndonëse duhet të mbrojë shëndetin e qytetarëve, duket se po përqendrohet në mbrojtjen e interesave politike.

Institucionet publike duhet të jenë mbi politikën dhe të shërbejnë për qytetarët, dhe jo për interesat e ngushta të partive politike. Qëndrimi i QKMF-së duhet të jetë në përputhje me nevojat e qytetarëve, jo me politikat e momentit. Ky ndryshim i vulës është një shembull i keq i përzierjes së politikës me administratën dhe i manipulimit të institucioneve në funksion të interesave të ngushta.

Në përfundim, ky akt është një sfidë ndaj dinjitetit dhe respektit që qytetarët e Shtimes kanë për figurat që kanë dhënë gjithçka për këtë komunitet. QKMF nuk është një mjet për hakmarrje politike, por një institucion që duhet të mbajë dhe të nderojë trashëgiminë e qytetit dhe të shërbejë interesave të qytetarëve. Kthimi i emrit të Dr. Vezir Bajramit në vulë nuk është vetëm një detyrim moral, por një nevojë për ruajtjen e dinjitetit dhe historisë së qytetit të Shtimes.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com