Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, njofton konsumatorët se ka larguar nga tregu produkte elektrike (mbushës telefoni).
Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë marrë mostra për testim të produkteve elektrike (mbushës telefoni) të brendit “LDNIO” 45W PD/QC.
Testimi i produktit u krye si pjesë e një projekti rajonal.
“Produkti elektrik në fjalë u testua në një laborator të akredituar dhe rezultoi se nuk përputhej me kërkesat e standardit EN 62368-1:2014+A11:2017, të cilat janë esenciale për përputhshmërinë me Rregulloren teknike për pajisjet elektrike të dizajnuara për përdorim brenda kufijve të caktuar të tensionit” bën të ditur Ministria.
Mbi bazën e raportit të testimit, Inspektorët e Tregut kanë sekuestruar dhe larguar nga tregu i brendshëm produktin që është hasur te operatorët ekonomikë dhe që ka qenë i ekspozuar për shitje tek konsumatorët.
Për verifikim gjatë procesit të importit është njoftuar edhe Dogana e Kosovës.
“Për çdo rast, qytetarët ftohen të raportojnë në telefon: 0800 11000, si dhe e-mail: konsumatori@rks-gov.net” thuhet në njoftim.