Friday, July 26, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeInspektorati i Shtimes ia ndërprenë punimet banorëve të Pjetërshticës, vendosja e shiritave...

Inspektorati i Shtimes ia ndërprenë punimet banorëve të Pjetërshticës, vendosja e shiritave në objektin për të pame nxit reagime

Banorë të fshatit Pjetërshticë të Komunës së Shtimes janë ashpërsuar pas vendosjes së shiritave dhe ndërprerjes së punimeve në objektin për të pame i cili ishte ndërtuar në pronë publike me vetëfinancim të banorëve. Për ndërtimin e këtij objekti, banorët  në vitin 2013 kishin pranuar një vendim nga Kuvendi Komunal për ndarjen e parcelës me sipërfaqe prej 500 metra katror, por më vonë ai vendim ishte kthyer i kundërligjshëm nga niveli qendror. Mirëpo, komuna për një vit e kishte mbajtur të fshehur vendimin. Raporton/ Rrjeti.info. Njëri nga banorët e fshatit, me kusht që mos t’i përmendej emri, ka thënë se banorët janë revoltuar pasi që komuna i ka vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve. Sipas këtij burimi banorët kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët në të cilin kanë debatuar lidhur me zhvillimet e fundit në këtë lokalitet. “Banorë të Pjetërshticës janë nervozuar me ekzekutivin e komunës sepse punimet kanë vazhduar duke u bazuar në vendimin e komunës për ndarjen e parcelës për objektin e të pamës, por tash erdhi koha t’i vendosin shiritat dhe nuk e dimë se çka do të ndodh me këtë objekt”,ka njoftuar ky burim.

Rrjeti, nga burime brenda komunës ka mësuar se banorë të këtij lokaliteti kanë kërkuar një takim urgjent me kryetarin e komunës dhe me drejtorin e urbanizmit, por nuk është konfirmuar nëse është realizuar takimi mes dy palëve pas zhvillimeve të fundit në këtë lokalitet.

Edhe pse vendimi për ndarjen e parcelës prej 500 metra katror ishte shpallur i jashtëligjshëm nga Ministria, deri në mbledhjen e 29 prillit të këtij viti, Komuna nuk e kishte sjellë dokumentin para kuvendarëve për shfuqizim. Më këtë datë me shumicë të votave është shfuqizuar vendimi, por e gjithë debati në kuvend ishte përcjellë me kritika e akuza në mes të pozitës e kuvendarëve nga opozita. Rexhep Gashi, kuvendar i Lëvizjes për Bashkim në Komunën e Shtimes, në këtë mbledhje kishte thënë se në muajin e 5 të vitit 2023 është kthyer vendimi i kundërligjshëm nga niveli qendror andaj ka pyetur se cila ka qenë arsyeja që vendimi është mbajtur deri më tash në komunë dhe nuk është sjellur para kuvendarëve për shfuqizim. “Pse pas 14 muajve e keni pru vendimin me shfuqizua. Ne e dimë se aty është punuar dacka në atë parcelë. Prej MAPL-së është kthyer i kundërligjshëm. Banorët e Pjetërshticës pikërisht për ato dy lagje më vjen keq që është punuar dacka dhe unë kërkoj interpretim ligjor sepse këtu kemi shef dhe zyrtar ligjor, andaj le të vjen dhe le ta shpjegon këtë. Çka do të bëjmë me ata banor të atyre lagjeve’, ka thënë Gashi.

Ndërkaq ,Lumni Amrushi kuvendar nga PDK-ja, njëherësh banor i fshatit Pjetërshticë, ka thënë se përgjigja prej ministrisë është kthyer menjëherë pas vendimit të vitit 2023 dhe tash janë shumë larg nga ajo kohë për të shfuqizuar atë vendim.”Banorët e kanë nisur objektin dhe gati janë në përfundim, e tash e keni sjellë vendimin për shfuqizim, këtu po pësojnë banorët, çka do t’i thoni qytetarëve sepse ai objekt sipas informatave të inspektoratit është edhe një vendim për rrenim sepse është pa leje”, ka thënë Amrushi.

Por, kuvendari tjetër i PDK-së Rrahman Jakupi ia ka përkujtuar ekzekutivit pyetjet e vitit 2023 lidhur me ndërtimin e këtij objekti. Ai në këtë mbledhje të Kuvendit kishte thënë se edhe kryesuesi i Kuvendit ka qenë në dijeni lidhur me zhvillimet e këtij vendimi. “Ka qenë kjo temë diskutimi në mes të meje dhe kryesuesit kur e kam pyetur atëherë a është vendim i kundërligjshëm a jo, është dashur t’i drejtohem dy apo tre herë derisa ka thënë po, andaj kjo ka qenë para një viti , andaj tash e kam një pyetje për drejtorinë e planifikimit urban se a ka vendim për rrënim a jo sepse banorët kanë mbetur në mëshirën e fatit”, kishte pyetur Jakupi.

Më 29 prill të këtij viti kur është shfuqizuar vendimi për dhënien e kësaj parcele për ndërtimin e objektit për të pame në Pjetërshticë, drejtori i Urbanizmit Grejtalb Emini ishte arsyetuar se ka qenë neglizhencë e tij mosnxjerrja e vendimit para kuvendit komunal në vitin 2023. “Kam pasur presion prej qytetarëve për ta kryer këtë pjesë. Nuk kam qenë i interesuar t’u them qytetarëve që të ndërtojnë apo mos të ndërtojnë, kanë ardhur dhe kanë bërë pyetje disa herë tek unë dhe ju kam thënë se vendimin e keni të kundërligjshëm, përkundër vullnetit të gjithë asamblistëve që me ju lejua. Arsyeja pse s’ka ardhur ju garantoj se nuk ka pasur të bëjë me pjesën e politikës, por më shumë ka qenë neglizhencë imja”, kishte thënë Emini.

Në vendimin e Ministrisë thuhet se bartja e 500 metrave katrorë të pronës publike është e kundërligjshme.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pas shqyrtimit për destinimin e pronës së komunës për aktivitete të ngushëllimeve të komunitetit në fshatin Pjetërshticë, konstatoi se: Hyrja e vendimit duhet të ketë bazë të ligjit nr.04/L-174 për Planifikim Hapësinor dhe të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor. Nuk lejohet destinim apo shfrytëzim tjetër nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor”, thuhet në vendim. 

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com