Ligji për Prokurim Publik (LPP) ndalon çdo operator ekonomik që ka kontribuar në hartimin e dokumenteve të tenderit, të marrë pjesë në tenderim, përfshirë edhe të drejtën për t’u shpallur fitues. Megjithatë, për Komunën e Shtimes, ky rregull nuk po gjen zbatim. /Shkruan ShtimeOn.
Në këtë komunë, ekziston dyshimi i bazuar se lista e çmimeve (në të cilën janë paraqitura të gjitha specifikimet teknike të detyrueshme) në tenderin “Mirëmbajtja e infrastrukturës në Komunën e Shtimes (kontratë kornizë 36 muaj)” është hartuar nga vetë operatori ekonomik “Ardhmëria” (Dashnim Jashari B.I), i cili më pas është rekomanduar si fitues për këtë kontratë me vlerë të parashikuar 350,000 euro dhe çmim ofertues 722.08 euro për njësi. Ky veprim është shkelje flagrante e nenit 65 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili ndalon pjesëmarrjen në prokurim të çdo operatori që ka kontribuar në përgatitjen e dokumenteve të tenderit. Për më tepër, një praktikë e tillë cenon drejtpërdrejt konkurrencën e lirë dhe e kthen procesin e prokurimit në formalitet për të justifikuar një vendim tashmë të parapërgatitur.
Shih më poshtë dëshminë se autor i hartimit të paramasës për aktivitetin e prokurimit ‟Mirëmbajtja e infrastrukturës në Komunën e Shtimes (kontratë kornizë 36 muaj)” është operatori ekonomik “Ardhmëria”.

Operatori ekonomik Dashnim Jashari B.I., i regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK) me emrin tregtar “Ardhmëria”, që nga viti 2023 ka përfituar 60 kontrata publike nga Komuna e Shtimes.
- Në vitin 2023: 25 kontrata në vlerë prej 1,392,627.94 euro;
- Në vitin 2024: 16 kontrata në vlerë prej 1,556,459.30 euro; dhe,
- Në vitin 2025: 18 kontrata në vlerë prej 3,728,306.84 euro.
Vetëm për vitin 2025, totali i kontratave për investime kapitale që ka fituar ky operator nga Komuna e Shtimes arrin shumën prej 3,728,306.84 euro. Megjithëse buxheti i Komunës për këtë kategori në vitin 2025 është 2,546,294 euro, një pjesë e këtyre projekteve janë shumëvjeçare dhe parashihen të financohen edhe gjatë viteve 2026 dhe 2027, varësisht nga periudha e implementimit të kontratave të nënshkruara.
Ky rast po ashtu vë në pikëpyetje të gjitha kontratat e mëparshme të fituara nga i njëjti operator ekonomik, sepse ngritë dyshime për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet autoritetit kontraktues dhe operatorit ekonomik. Në këtë kontekst, D+ kërkon anulimin e rekomandimit për dhënie të kontratës dhe kërkon hetim të plotë nga institucionet e drejtësisë, për të garantuar integritetin e procesit të prokurimit publik dhe për të parandaluar keqpërdorimin me paratë publike.
Numri jashtëzakonisht i lartë i kontratave të fituara nga një operator i vetëm, si dhe vlera e lartë e tyre, krijon monopol dhe marrëdhënie klienteliste, të cilat cenojnë konkurrencën e ndershme dhe shpesh rezultojnë në mungesë të zbatimit të kontratave dhe ulje të cilësisë së punimeve publike.



