Sunday, September 8, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaBlogQeveria u përplas me QUINT-in për pronat në veri, Osmani: S’kam parë...

Qeveria u përplas me QUINT-in për pronat në veri, Osmani: S’kam parë diskriminim etnik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar në lidhje me shpronësimet në veri të Kosovës, për të cilat u kritikua ashpër Qeveria e Kosovës nga ana e ambasadorëve të QUINT-it.

Gjatë një vizite në Drenas, Osmani ka theksuar se e përkrah vendimin për shpronësimet, përderisa ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe me rregullat ndërkombëtare.

Ajo theksoi se është në interes të sigurisë kombëtare që të mbrohet veriu i Kosovës nga sulmet e Serbisë.

“Është në interes nacional për shkak të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës. Ju e dini që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e domosdoshme për sigurinë e gjithë neve, pavarësisht ku jetojmë brenda Kosovës, që veriu i Kosovës të mbrohet nga sulmet e Serbisë dhe në mënyrë që Kosova të mbrohet, ne kemi nevojë për prezencë të institucioneve tona të sigurisë, të cilat e kanë mbrojtur heroikisht dhe me sukses deri sot çdo cep të vendit tonë. Prandaj, përderisa shpronësimet janë në përputhje të plotë me ligjet e aplikueshme, me Kushtetutën e Kosovës dhe pesë hapat që janë standard për Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si presidente e Republikës e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim” , tha Osmani.

Tutje, Osmani ka vlerësuar se nuk ka parë diskriminim mbi baza etnike gjatë shpronësimeve në veri.

“Ku shpejgohen këto çështje në detaje nga institucionet tona te partnerët tanë dhe në mënyrë që të sigurohen që të gjithë, që e tëra që Kosova ka bërë është ka respektuar një standard të Gjykatës Evropiane, të cilin e respektojnë të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës…Unë nuk shoh në asnjë moment ndonjë tendencë për diskriminim mbi baza etnike, por thjeshtë respektim të standardeve që i ka paraparë edhe Kushtetuta e jonë edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Osmani.

Të enjten Qeveria e Republikës së Kosovës ka reguar ashpër pas deklaratës së shtetev të QUINT-it, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe misionit të OSBE-së, lidhur me shpronësimet e disa pronave në veri të vendit.

Në reagimin e Qeverisë së Kosovës u theksua se QUINT, BE dhe OSBE në mënyrë të gabuar kanë konstatuar gjendjen faktike dhe kanë bërë vlerësim ligjor të pabazuar në argumente.

Qeveria po ashtu thkeson së në rastin e shpronësimeve në komunat veriore, ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës.

“Ndërtimi i projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu stacionet e policisë, do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë qëllime të ligjshme dhe mëse legjitime që i kontribojnë forcimit të zbatimit të ligjit e mbi të gjitha, sigurisë së qytetarëve që për një kohë të gjatë ishin subjekt i dhunës e terrorit të bandave kriminale të udhëhequra nga krye-terroristi Milan Radojçiq, i sanksionuar edhe nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ashtu siç është konstatuar edhe nga Raporti i Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës, Kosova ka legjislacion të avancuar që siguron mbrojtje të lartë të të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos ato të komuniteteve jo shumicë. Juristët Eminentë kanë konstatuar se: Korniza ligjore e Kosovës është ndikuar fuqishëm nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe shkon përtej standardeve ndërkombëtare.”, thuhej  në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka shprehur shqetësimin edhe që deklarata i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës si “komuna me shumicë serbe”.

“Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve.”, u tha në reagim.

Gjatë të enjtes, shtetet e QUINT-it, ku përfshihen ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, ka shorehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Në reagimin e QUINT-it dhe BE-së, u tha se disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.

“Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagim.

Tutje, theksohet se përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, “na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.

“Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe titullarëve të të drejtave të respektohen plotësisht”, thuhet tutje.

“Ndarazi, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë”, u tha  në reagimin e QUINT-it dhe BE-së.

Tutje, theksohet nga QUINT-i dhe BE-ja që qeveria t’i përmbahet sundimit të ligjit.

“Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive vitale dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, përfundoi reagimi.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com