Sunday, October 6, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeBrenda 5 muajve dy qëndrime krejtësisht të kundërta të Kurtit për krimet...

Brenda 5 muajve dy qëndrime krejtësisht të kundërta të Kurtit për krimet e Serbisë në Kosovë

Në dhjetor të vitit të kaluar në një tryezë diskutimi për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se askush nuk duhet dhe nuk mund të pretendojë se përmes këtij instituti do të mund të zgjidhen problemet që janë shkaktuar qe 24 vjet.

Meqë në vlerësimin e tij “njerëzit janë të lodhur, e viktimat kanë humbur besimin në sistem”.

Madje Kurti potenconte se gjeneratat më të vjetra “po vdesin përditë e kështu po humb edhe kujtesa parësore e luftës”.

“Ky është një rrezik i madh që na kanoset”, thoshte Kurti më 7 dhjetor.

Pesë muaj më vonë Kurti në shpërputhje totale me deklaratat e tij paraprake ka theksuar se “krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë nuk vjetrohen dhe as nuk harrohen”.

“Ato krime janë të dëshmuara dhe të provuara dhe do të adresohen para drejtësisë sikur edhe kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre që do të gjurmohen deri në fund! Infrastruktura ligjore e institucionale si dhe prokurorët aktivë e gjyqësori efikas do të jenë rruga dhe mënyra në këtë obligim dhe synim tonin”, shkroi Kurti më 7 maj në platformën sociale, Facebook.

Ndërkohë në maj të këtij viti bëhen tri vjet prej kur Kurti, publikisht kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit.

Përgatitja, në vlerësimin e Kurtit, po bëhej me hapa “gjigantë”, meqë për të “një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.

Se në këtë drejtim po punohet “intensivisht” kishte njoftuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në prill të vitit 2022, Osmani, kishte potencuar se tashmë një ekip i përbërë nga profesionistë po përgatisin materialet të cilët duhet Kosova t’i ketë sa i përket padisë për gjenocid.

“Nuk është lojë kjo punë, sepse një rast i tillë do të ishte iniciativa më e rëndësishme e Republikës së Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”, deklaronte ajo.

Një hap përtej Kurtit e Osmanit kishte bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kur në maj të vitit 2023 kishte deklaruar se Kosova është “shumë afër” përfundimit të padisë “profesionale” për gjenocid ndaj Serbisë.

Kryekuvendari kishte potencuar se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesionalë që kanë njohuri në këtë fushë dhe se në këtë drejtim është bërë një “punë e mirë deri tash”.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhur një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë. Mund të konstatoj që kjo është shumë afër. Nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash”, deklaronte ai.

Në ndërlidhje me iniciativën për padi për gjenocid ndaj Serbisë, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti themeloi edhe Institutin për Krimet Lufte – me synim mbledhjen e materialeve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës, të cilat do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë këtij instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Por, ndryshe nga deklaratat plot optimizëm e premtuese të krerëve institucionalë Qeveria e Kosovës – kompetencë kjo ekskluzive e saj – nuk ka bërë asnjë hap konkret e të prekshëm në këtë drejtim, ndërsa padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk duket fare në horizont.

Andaj deklarata të tilla të pamatura të autoriteteve kosovare për njohësit e fushës së drejtësisë nuk mund të konsiderohen si asgjë tjetër përveç si “lojë politike” e fraza të cekta për nevoja elektorale.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, beson se tashmë është e qartë se artikulimet e tilla publike të ekzekutivit nuk janë asgjë tjetër përveç “deklarata politike për konsum të brendshëm dhe të parealizueshëm në praktik”.

Në vlerësimin e tij fraza të llojit të cilat janë vështirë të realizueshëm në terren mund të cilësohen edhe si “premtime fiktive” të cilave mund t’i besojnë qytetarët laikë, por assesi ekspertët e kësaj fushe.

“IKD kishte kërkuar nga Qeveria që përmes kësaj qasje të mos ngjall shpresa të rrejshme me theks të veçantë te familjarët e viktimave të krimeve të luftës në Kosovë, pasi mos realizimi në praktikë padyshim se kthehet në zhgënjim te të njëjtit”, thotë Miftaraj për Albanian Post.

Duke theksuar pamohueshmërinë e faktit se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, krime të tmerrshme dhe sistematike ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Miftaraj thekson se padia për gjenocid ndaj Serbisë – siç ka premtuar Qeveria – është e pamundur marrë për bazë pozicionin politik në të cilën gjendet Kosova aktualisht në arenën ndërkombëtare.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të ushtrojë një të drejtë të tillë do të duhej të ishte pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nënshkruese e Statutit të GJND-së, që në rastin konkret kjo tani për tani fatkeqësisht nuk ekziston”, argumenton ai.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com