Ndërtimi i një objekti në fshatin Davidoc, nga kompania “Dardania”, me pronar Imri Sopaj ka nxitur reagime dhe është duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për shkak të natyrës së tij që dyshohet se është e paligjshme, por edhe për lidhjet e dyshimta me pushtetin që rrethojnë këtë rast. Sipas burimeve të besueshme, ky projekt po ndërtohet pa leje ndërtimore dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më saktësisht nenin 14, pika 1.1 të Ligjit për ndërtim 04/L-110. Raporton/ShtimeOn, përcjellë/Rrjeti.Info.
Veç kësaj, situata bëhet edhe më alarmante kur vëllai i kryetarit të Shtimes, Sami Aliu, dyshohet se është pjesë e kompanisë ndërtuese “Dardania”. Kjo ngre dyshime për një konflikt të interesit që mund të ketë ndikim në mospërfilljen e procedurave ligjore. Në këtë veprim të kundërligjshëm është i informuar Qemajl Aliu, kryetar i Komunës si dhe Grejtalb Emini, drejtor i Planifikimit, të cilët janë të informuar dhe kanë lejuar këtë veprim të paligjshëm. “Rasti i Davidocit nuk është thjesht një shkelje e rregullave të ndërtimit, por një shembull i qartë i mënyrës se si abuzimi i pushtetit dhe mungesa e përgjegjësisë nga autoritetet lokale mund të çojnë në veprime që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin e shtetit ligjor. Kjo çështje është një thirrje për një reagim të menjëhershëm dhe të vendosur nga organet e drejtësisë, duke përfshirë Prokurorinë, për të marrë masa ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për këtë veprim që edhe ne si qytetar dyshojmë dhe mendojmë se është i paligjshëm”, ka thënë një burim. Qytetarët e Davidocit kanë kërkuar një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë. “Apelojmë për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, dhe për dënimin e duhur të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë skandal ndërtimi. Kjo nuk është vetëm një çështje e ndërtimit pa leje; është një çështje e integritetit dhe të drejtës së qytetarëve për një qeverisje të drejtë dhe të ligjshme”, ka thënë më tej ky burim.