Shtime, 3 dhjetor 2025- Edhe në Shtime sot u shënua 3 Dhjetori-Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, një ditë e rëndësishme që synon rritjen e vetëdijes për të drejtat, dinjitetin dhe përfshirjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Me këtë rast, Handikos, dega në Shtime organizoi një koktej rasti, në të cilin morën pjesë Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Salihu-Qeriri, Drejtori i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Shpresa”, asistentë të personave me aftësi të kufizuara nga SHFMU “Emin Duraku”, përfaqësues të organizatave të ndryshme të qytetit, si dhe anëtarë dhe prindër të personave me aftësi të kufizuara.
Me këtë rast nënrkryetari Beqa tha se, komuna do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me organizatat dhe institucionet relevante për të realizuar projekte që synojnë avancimin e të drejtave dhe shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu, pjesëmarrësit vlerësuan rolin e Handikos-it në mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie dhe në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme për rëndësinë e barazisë, respektit dhe përfshirjes sociale.







