rokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Ngjarja ka ndodhur më 14 korrik 2019 në Suharekë, ku të pandehurit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ose nuk i kanë përmbushur detyrat, me qëllim përfitimin e dobisë për të tjerët, duke shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 24,308 euro.
Aktakuza përshkruan se menaxheri i kontratës për asfaltimin e rrugës Ngucat, B.K., ka përpiluar një raport me të dhëna të pasakta lidhur me ndërtimin e urës metalike, ndërsa zyrtari i prokurimit, M.B., ka nënshkruar kontratën dhe ka lejuar pagesën për një urë që nuk ishte ndërtuar.
Drejtori i shërbimeve publike, E.Sh., nuk ka përmbushur detyrimet e tij për përgatitjen e detyrës projektuese dhe specifikimeve teknike, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje në dokumentacion. Hartuesi i projektit, A.E., ka përgatitur para masën dhe llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, duke shpërfillur ndërtimin e urës metalike dhe të murit mbrojtës sipas projektit origjinal. Monitoruesi i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, B.N., dhe mbikëqyrësi i përzgjedhur përmes tenderit, Z.T., kanë nënshkruar raportin dhe certifikatën e pagesës edhe pse ura e parashikuar nuk ishte ndërtuar.
Ndërkaq, A.M., përfaqësues i operatorit ekonomik të kontratës, ka paraqitur raportin në të cilin deklaronte si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, edhe pse ura nuk ishte ndërtuar fare, duke kryer kështu veprën penale të mashtrimit në prokurim publik.
Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa personave zyrtarë t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Lexo më Shumë: https://www.facebook.com/share/p/1DEYRQ66vR



