Një përplasje e ashpër mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) ka ndodhur në lidhje me përurimin e shkollës fillore “Halil Alidema” në fshatin Pozheran të Vitisë. Dy partitë politike garuan për të marrë meritat për hapjen e shkollës, një situatë që gati eskaloi gjatë fushatës zgjedhore, shkruan Demokracia.com.
Pas dështimit të javës së kaluar, Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit, kishte planifikuar të inauguronte shkollën këtë javë. Megjithatë, menaxhmenti i shkollës, i cili drejtohet nga zyrtarë të LDK-së, vendosi që inaugurimi të bëhej nga vetë nxënësit, duke anashkaluar ministren e VV-së. Si rezultat, shkolla filloi procesin mësimor të premten, pa ndonjë ceremoni zyrtare nga asnjëra palë.
Përplasja ka marrë përmasa më të gjera politike, duke përfshirë zëvendësministrin e Arsimit, Arsim Ademi nga VV-ja, dhe kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti nga LDK-ja, të dy kandidatë për deputetë. Tensionet rreth kësaj shkolle kanë qenë të vazhdueshme, duke u përqendruar tek meritat për ndërtimin e saj.
Ndërtimi i shkollës “Halil Alidema” ka nisur që në vitin 2016 dhe përfshirja e Ministrisë së Arsimit si investitor dhe Ministrisë së Administratës Publike si menaxhuese ka zgjatur për shkak të ndryshimeve strukturore dhe vonesave teknike. Nxënësit e kësaj shkolle janë detyruar të vijojnë mësimin në kushte të papërshtatshme në shkollën e mesme “Kongresi i Manastirit”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka javen e kaluar një aktivitet në Viti ku pritej të merrte pjesë në përurimin e një çerdhe në fshatin Dobreshë dhe një shkollë në fshatin Pozheran të kësaj komune.
Ndërkohë, zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, për shtyrjen e përurimit të shkollës “Halil Alidema” në Pozheran, duke e cilësuar këtë si një vendim politik të pabazuar. “Ky është një vendim politik dhe i pabazuar në gjendjen reale të objektit. Nxënësit duhet të ishin në shkollën e re, por protagonizmi i kryetarit Haliti i la ata edhe këtë javë në shkollën e vjetër”, shkroi Ademi.
Në anën tjetër, Haliti deklaroi se punimet përfundimtare në objektin e ri nuk ishin mbyllur dhe se kishte njoftuar Ministrinë për këtë situatë. “Inspektimet tona konstatuan se ende po kryheshin punime. Për këtë arsye, vendosëm që përurimi të shtyhet deri në përfundimin e tyre”, tha Haliti.
Sipas njoftimeve zyrtare, Ministrja Nagavci kishte planifikuar të merrte pjesë në përurimin e shkollës dhe të një çerdheje në fshatin Drobesh. Megjithatë, aktivitetet e saj u anuluan pa dhënë arsye konkrete, duke shtuar më tej paqartësitë dhe tensionet mes palëve.
Ndërkohë, nxënësit e shkollës “Halil Alidema” e hapën vetë shkollën dhe procesi mësimor ka filluar që nga e premtja, duke lënë pas tensionet politike që përfshinë përurimin e saj.
Kjo situatë në Pozheran është një pasqyrë e ndasive të thella politike që vazhdojnë të ndikojnë në projektet publike në nivel lokal. Përplasjet mes LDK-së dhe VV-së për meritat e ndërtimit dhe inaugurimit të shkollës “Halil Alidema” dëshmojnë për keqmenaxhimin dhe mungesën e bashkëpunimit për interesa të përbashkëta, ku nxënësit dhe qytetarët mbeten ata që pësojnë. /Demokracia.com/