Friday, September 20, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeKomuna e Shtimes dhe procesi i dyshimtë i ndërtimit të objektit të...

Komuna e Shtimes dhe procesi i dyshimtë i ndërtimit të objektit të ri 2.5 milionësh

Komuna e Shtimes, e cila udhëhiqet nga kryetari Qemajl Aliu, i njohur edhe si “çlirimtari”, ka planifikuar ndërtimin e një objekti të ri për administratën komunale. Për këtë projekt është përzgjedhur një grup i kompanive në konsorcium, me një vlerë rreth 2.5 milionë euro. Megjithatë, procesi ka ngjallur dyshime të mëdha për shkak të disa zhvillimeve që ngjajnë me parregullsi të mundshme. Demokracia.com sjell detajet.

Më 12 shkurt 2024, Komuna e Shtimes hapi tenderin me vlerë prej 2.5 milionë eurosh për ndërtimin e objektit të ri. Shumë kompani morën dosjen e tenderit, ndërsa dy prej tyre menjëherë bënë kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar se janë vendosur kritere të kundërligjshme. Pavarësisht këtyre pretendimeve, komuna e Qemajl Aliu i hodhi poshtë ankesat. Një nga kompanitë më pas paraqiti ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por befasisht u tërhoq nga ankesa, duke lënë dyshime për qëllimet e saj dhe përse ky proces po zhvillohej pa rregull. Tërheqjen e miratoi OSHP dhe e lejoi komunën që të vazhdojë tutje (Vendimi).

Pas tërheqjes së kësaj ankese, Komuna e Shtimes vazhdoi me vlerësimin e tenderit, ku në garë mbetën vetëm tri kompani. Për kontratë është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë: “Xhemshir Sejdija B.I”, “Tala Engineering Shpk”, “B-Bardhi Shpk”, dhe “Civil Eng Shpk”. Oferta e përzgjedhur për kontratë ishte vetëm 4000 euro nën pragun e tenderit, në vlerën e saktë prej 2,495,831.10 euro, shkruan Demokracia.com.

Tërheqja e dyshimtë nga ankesa

Para hapjes së ofertave, kompania “Limitproject”, në pronësi të Lulzim Zarës, parashtroi ankesë në OSHP, duke pretenduar se janë vendosur kritere të paligjshme. Megjithatë, brenda disa ditësh, kjo kompani e tërhoqi ankesën pa dhënë asnjë arsye të qartë. Ky veprim ngriti pikëpyetje, sidomos duke pasur parasysh që “Limitproject” është kontraktues i madh nga Qeveria Kurti. Tërheqja e tyre mund të ketë qenë një manovër taktike, duke i lënë rrugë të hapur Komunës së Shtimes që të nënshkruajë kontratë me kompanitë e tjera.

Kompania “Limitproject” është fituese e disa tenderëve të mëdhenj të Qeverisë Kurti, siç dëshmohet nga E-Prokurimi. Ajo ka fituar tenderë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Së fundmi nga Ministria e Kulturës “Realizimi i punëve finale – Faza e dytë në Kishën Katolike në Ferizaj”, me vlerë 1,288,745.20 euro dhe “Intervenime emergjente në rajonin e Prishtinës”, me vlerë 537,166.20 euro.

Edhe me ministrinë e Faton Pecit, po ashtu, për “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Ulpianë Prishtinë për pjesën që aktualisht është për shfrytëzim nga MBPZHR”, në një vlerë prej 359,827.85 euro.

Kritere të kontestuara

Ndër kriteret që kompania “Limitproject” pretendon se ishin të paligjshme, përfshihet kërkesa për një inxhinier ndërtimi me fokus në infrastrukturë rrugore, ndërsa objekti është një ndërtesë administrative. Një tjetër kërkesë ishte për një inxhinier të emergjencave me nivelin master, një kriter që u konsiderua kufizues dhe i panevojshëm. Kërkesa të tjera përfshinin pajisje të veçanta, të cilat vetëm një numër i kufizuar i kompanive mund t’i plotësojnë, duke krijuar një situatë monopoli të mundshëm.

Këto kritere janë një shembull i asaj që shpesh ndodh në proceset e tenderimit në Kosovë, ku autoritetet kontraktuese vendosin kërkesa të cilat kufizojnë konkurrencën e lirë. Për rrjedhojë, ato kompani që nuk i plotësojnë këto kritere të dyshimta mbeten jashtë garës, duke ia lënë hapësirën vetëm një grupi të ngushtë të favorizuar. Pra, këto kritere kanë mbetur të patrajtuara. (Ankesa)

Fituese të tenderëve të tjerë

Kompania lider e konsorciumit, “Xhemshir Sejdija B.I”, ka qenë e lidhur me kontrata të mëparshme me Komunën e Shtimes, përfshirë një kontratë për mirëmbajtjen e parqeve me vlerë prej 200 mijë eurosh.

Po ashtu, “Tala Engineering Shpk”, një nga kompanitë e përfshira në ndërtimin e objektit të ri, ka fituar një kontratë prej 150 mijë eurosh nga Komuna e Shtimes, ku janë evidentuar parregullsi, përfshirë çmimet e fryra për materialet e ndërtimit.

Ky rast mbetet në fazën ku kompanitë kanë të drejtë të ankohen, fillimisht në komunë dhe më pas në OSHP.

Ky proces i dyshimtë i tenderit, me tërheqje të papritura nga ankesa dhe kriteret e diskutueshme të tenderit, ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe ndershmërinë e prokurimit publik në Komunën e Shtimes. Mbetet të shihet nëse kompanitë e tjera do të ushtrojnë ankesë ndaj këtij procesi dhe nëse OSHP-ja do të shqyrtojë më tej pretendimet për shkelje ligjore. /Demokracia.com/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com