Friday, October 18, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeMinistria e Donika Gërvallës ndalon qasjen në Raportin e Punës së Gani...

Ministria e Donika Gërvallës ndalon qasjen në Raportin e Punës së Gani Jakupit, e konsideron me informacione të klasifikuara

Më 20 qershor ka përfunduar punën njëvjeçare Gani Jakupi. Rrjedhimisht, atij i ka skaduar kontrata që e kishte lidhur përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, ku për një vit mori 90,000 euro apo 7,500 euro në muaj. Tash nëse do t’i vazhdohet të njëjtit kontrata apo jo, mbetet të shihet. Se çka bëri Ganiu për një vit për ministrinë po konsiderohet si punë fort konfidenciale, shkruan Demokracia.com.

Në vitin e kaluar ishte raportuar në media për pagën marramendëse që merrte konsulenti i ministres Donika Gërvalla. Gani Jakupi u pagua nga buxheti i Kosovës hiç më pak se 7,500 euro në muaj ose 90.000 euro për një vit. Nga përshkrimet online që i bëheshin Jakupit, referencën më të shpeshtë rreth tij mund ta gjeni të përmbledhur kështu: ‘ai është një artist shumëdimensional’.

Demokracia.com ka kërkuar qasje në raportin e punës së Jakupit, por MPJD-ja nuk e ka ofruar raportin e tij me një arsyetim të paqëndrueshëm.

Sipas ministrisë, hapja e këtij raporti do ta dëmtonte mundësinë e vazhdimit të komunikimit diplomatik dhe perceptimit publik të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i bërë informacionet e tij si tepër konfidenciale. Ky vendim ngritë pyetje rreth transparencës dhe efektivitetit të shpenzimeve publike për konsultimet e jashtme.

Megjithatë, ministria ka treguar me dy fjali se çfarë përmban ai raport.

“Raporti i punës i konsulentit Gani Jakupi përfshin: Komunikime me zyrtarë dhe entitete institucionale, kulturore dhe mediatike të shteteve të ndryshme, përfshirë disa jo-njohëse. Komunikime me organizata ku Kosova nuk është ende anëtare. Këto takime janë aranzhuar me obligim të mbajtjes së konfidencialitetit të formës dhe përmbajtjes së takimeve. Nisur nga ky fakt: Hapja e paautorizuar e informacioneve që përfshihen në këtë Raport (informata që konsiderohen të klasifikuara) do të dëmtonte mundësinë e vazhdimit të komunikimit të vendosur me qëllim të ndikimit pozitiv të perceptimit publik në vendet evropiane. Hapja e paautorizuar do të dëmtonte përpjekjet për të thelluar marrëdhëniet diplomatike dhe institucionale, posaçërisht në rastet e vendeve jo-njohëse dhe organizatave ku Kosova ende nuk është anëtare. Bazuar në këto arsye, nuk mund të ofrojmë qasje në raportet e punës së z. Jakupi”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Demokracia.com.

Në qershor të këtij viti, ministria e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi që e kishte publikuar Periskopi dhe mund ta shihni më poshtë, ia kishte deleguar kompetencat e negociimit të një kontrate për ‘superkonsulentin’, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajramit.

Eksperti u gjetë shpejt. Ai quhej Gani Jakupi dhe jetonte në Barcelonë të Spanjës.

Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit (të kandidatit, v.j).

Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi ia kishte deleguar kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajramit (shih vendimin më lart). 

Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJD-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për superkëshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin, që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.

(Kontrata) 

Sipas kontratave të majme që Ministria e Jashtme kishte lidhur me disa persona për çështje të kësaj natyre, si në këtë hulumtim dhe për të njëjtën temë, një muaj më herët Periskopi kishte kërkuar qasje në dokumente publike (ashtu siç e lejojnë dispozitat e ligjit Ligjit Nr. 06/L-081) lidhur me kontratat në fjalë.

Prej atëherë e deri sot, kjo nuk i ishte lejuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Por, një prej kontratave të ngjashme si ajo e Gani Jakupit ishte publikuar nga ky medium.

(Aneksi i kontratës) 

Ministrja Donika Gërvalla e vlerëson lart Gani Jakupin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kohën kur ishte raportuar rreth pagës së Gani Jakupit, ajo kishte thënë se shuma e 7,500 eurove nuk është pagë mujore, por një shumë modeste për lobimin që ai e bën.

“Me këtë shumë modeste, që nuk është pagë mujore, është shumë modeste për gjithë lobimin që bën. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë”, kishte deklaruar ajo.

Kush është Gani Jakupi – Konsulenti që i kushtoi shtetit të Kosovës 7 mijë e 500 euro në muaj?

Referuar të dhënave online dhe intervistave të Jakupit për mediume të ndryshme shqiptare (televizione dhe media online), Gani Jakupi është i njohur në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë.

Ai është aktiv në rrjetin social ‘X’, aty ku vërehen edhe disa mesazhe mbështetëse për kryeministrin Albin Kurti.

Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, në vazhdimësi ka qenë në qendër të kritikave për punën e dobët. Madje edhe vetë brenda ministrisë kanë shpërthyer pakënaqësi nga Shoqata Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, e cila e ka përshkruar si  ‘alarmante situatën në Ministrinë e Jashtme’.

Kjo ministri, e cila pagoi 7,500 euro në muaj këshilltar për takime me media e gazetarë të Parisit dhe Brukselit, nuk ia ka arritur ta shkruajë as një raport kredibil, madje as për agresionin e Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

Republika e Kosovës nuk e ka asnjë njohje që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti dhe udhëheqjes së diplomacisë nga Donika Gërvalla. Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën më 4 shtator 2020. /Demokracia.com/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com