Saturday, July 20, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeAsociacioni, njohja ‘de facto’ – Brukseli pret idetë e Kosovës dhe Serbisë...

Asociacioni, njohja ‘de facto’ – Brukseli pret idetë e Kosovës dhe Serbisë se si të zbatohet Marrëveshja Bazike

Serbia e do Asociacionin, Kosova njohjen ‘de facto’. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ka mbetur pa u zbatuar. Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq ishin në Bruksel së fundmi, pasi paraprakisht shefat e tyre s’arritën ndonjë dakordim për zbatimin. Tash, nga Prishtina dhe Beogradi priten ide për mënyrën e zbatimit të asaj për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq ishin pajtuar vitin e kaluar.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, deri vonë të martën e javës së kaluar qëndruan në Bruksel, ku shkuan për gjetjen e një zgjidhjeje për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pa sukses. Takimet e ndara me të dërguarin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak e më pas takimi trepalësh nuk rezultuan me arritjen e ndonjë dakordimi.

Për rreth shtatë orë u diskutuan një sërë çështjesh, ndërsa Lajçak tha se u pajtuan “për një numër të hapave të ardhshëm”.

Deri më 18 korrik, mbeti që Kosova dhe Serbia t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin për zbatimin e marrëveshjes bazike, siç tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi atë natë.

Ai tha se në bazë të komenteve që do të dërgohen prej të dyja palëve, ndërmjetësit europianë do ta nxjerrin një propozim të ri për zbatimin e marrëveshjes.

Bislimi tha se pala serbe ishte e interesuar të diskutonte vetëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryenegociatori serb, Petkoviq tha se këmbënguli në atë çështje meqë sipas tij është “thelbësore për mbijetesën e serbëve dhe procesin e normalizimit”.

Takimit të kryenegociatorëve i kishte paraprirë një udhëtim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Më 26 qershor ata u rikthyen në kryeqendrën europiane. Por pavarësisht se BE paralajmëroi se ata do të merrnin pjesë në takime të ndara me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrell, pasuar nga një takim trepalësh, kjo e dyta nuk ndodhi.

BE-ja i organizoi takimet me Kurtin e Vuçiqin për të analizuar, siç u tha, atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrellit dhe për “rrugën përpara”.

Kurti e Vuçiq nuk u ulën përballë njëri-tjetrit për të diskutuar për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur më 27 shkurt 2023 dhe për aneksin e zbatimit të saj të 18 marsit 2023.

“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha Boirrell pas takimeve me të dy liderët. Spanjolli, tashmë në fund të mandatit si shef i politikës së jashtme të BE-së, citoi para gazetarëve tri kushtet që tha se i kishte paraqitur Kurti për angazhimin e mëtejshëm në procesin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit: “Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja Bërnabiq, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”.

Pa shqiptuar ndonjë vërejtje për asnjërën palë, Borrell thjesht tregonte se Serbia “nuk ishte e gatshme t’i përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës, duke përmendur kufizimet kushtetuese”. Ai tha se Vuçiq është deklaruar i gatshëm që “t’i shqyrtojë opsionet në lidhje me letrën e ish kryeministres dhe zyrtarizimin e marrëveshjes në përputhje me praktikën e kaluar të Dialogut për të zhbllokuar zbatimin e saj”.

Udhëtimit të Kurtit e Vuçiqit në Bruksel i parapriu një vizitë e Lajçak në Prishtinë e Beograd, ku tha se kishte ardhur për “mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim”.

Megjithëse mandati i rregullt i tij përfundon në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori do të duhej ta niste punën si ambasador në Zvicër, është vendosur që Lajçak të qëndrojë në këtë detyrë deri në janar të vitit 2025. Ai thotë se ka ende punë për të bërë./ Express

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com