Tash e disa vjet Komuna e Shtimes ka dështuar ta ndërtoi një çerdhe publike në fshatin Petrovë si pasojë e telasheve me banorët dhe aspektit ligjor. Në parcelën prej 7 arësh që parashihej të ndërtohej ky objekt aty sipas banorëve pretendohet se ka edhe varreza të vjetra, ndërkohë së fundi ministria e Arsimit i ka kërkuar Komunës së Shtimes që projekti të ndryshohet pasi që objekti në dy kate siç e kishin planifikuar në fillim, nuk preferohet për fëmijët parashkollorë. Rreth kësaj çështje kuvendarë nga opozita e patën kritikuar kryetarin Qemajl Aliun lidhur me këtë projekt me arsyetime se ka bërë shkelje ligjore. Raporton/Rrjeti.Info.
Aliu që para kuvendarëve e kishte sjellur plotësim-ndryshimin e këtij projekti, përmes një dokumenti të cilin e ka siguruar “Rrjeti.Info”, kishte sqaruar se “Ministria e Arsimit ka vendosur kritere të reja dhe ka kërkuar që objekti të mbetet përdhesë e jo në dy kate”.
Kuvendari i pavarur Reshat Mujota, ka thënë se që nga fillimi ka qenë kundër ndërtimit të këtij objekti derisa procedurat janë përcjellë me shkelje ligjore. “E kam ditur se e keni pasur gabim dhe duke e ditur këtë sot e keni sjellur vendimin me ndryshuar. Çështja e varrezave aty ka pasur shqetësime të familjarëve dhe sot e dëgjoi kryesuesin duke thënë se ato varreza janë të familjarëve të mi, por në asnjë mbledhje nuk e ka përmendur këtë gjë”, ka thënë Mujota. Sipas tij, komuna ka dalë në kundërshtim me vetveten. “Po thoni se ka pasur projekt, këtu ka qenë projekti dy kate e tash shikoje se cilin projekt e keni sjellë këtu, do të thotë tash e keni ndërruar projektin dhe jeni kundër vendimeve të juaja, sepse herë e bëni dy kate e herë një kate dhe ja huçni në total”, ka thënë Mujota.
Adelina Beqaj kuvendare nga opozita PDK, ka thënë se qeverisja lokale e dinë pse e ka dështuar ndërtimin e kësaj çerdheje. “ Më vjen keq prej kryetarit sepse shumë qytetar më kanë thënë se po “rrejke”, andaj përnjëmend kryetar a je i tillë a. Po të pyeti kryetar sepse më ke akuzuar se nuk e kam votuar çerdhen në Petrovë. Kryesues mos më ndërhy në fjalim, nuk ke nevojë me ndërhy, kur të përfundoi fjalimin fol ti. Pra, këto janë dështimet e komunës së Shtimes që keni premtuar se do ta bëjmë çerdhen me një kohë të caktuar , por për shkak të gabimeve të juaja dhe dështimeve të juaja , jemi këtu ku jemi”, pati thënë Beqaj.
Në anën tjetër kryesuesi i Kuvendit Adnan Ademi, në mbledhjen e Kuvendit ka thënë se në Petrovë është ndarë një parcelë prej 7 arësh. “Tash ministria e arsimit ka kërkuar se për shkak të ndryshimit të projektit se projekti ka qenë dy kate e tash është një kate përdhese dhe është zgjeruar, e ka diku 7 ari vetëm objekti dhe ka kërkuar që kjo parcelë të bëhet prej 15 arësh për shkak të parkingut dhe këndit të lodrave që do të jetë në pjesën e jashtme të oborrit”, ka thënë midis të tjerash Ademi.