Me integritet profesional, guxim qytetar dhe vizion të qartë për të ardhmen, Arsim Jashari ka ndërtuar një profil të denjë të përfaqësuesit modern dhe të përgjegjshëm në Kuvendin Komunal të Lipjanit. I diplomuar me Master në Shkenca Juridike, ai prej katër vitesh është pjesë e asamblesë komunale dhe aktualisht ushtron detyrën e Shefit të Grupit të Asambleistëve të PDK-së, ku është dalluar për qasjen e tij dinamike dhe parimore në shërbim të qytetarëve.
Edhe kandidati për kryetar të Lipjanit Shumri Buja, e ka promovuar asamblistin Arsim Jashari.
Në çdo seancë, Jashari ka qenë zëri i atyre që shpesh nuk dëgjohen: i qytetarëve të zakonshëm, i lagjeve të anashkaluara, i kategorive të ndjeshme. Ai ka ngritur me guxim problemet reale, ka propozuar zgjidhje konkrete dhe ka ndjekur deri në fund çdo iniciativë që ka pasur për synim përmirësimin e jetës së përditshme në Lipjan.
Por historia e përkushtimit të tij nuk fillon me politikën. Në moshë shumë të re, Arsim Jashari ishte pjesë e rezistencës për liri si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri që e shtynë atë dikur në front, sot ai përfaqëson qytetarët me zë të fortë e qëndrim të palëkundur në kuvend.
Tani, me mbështetjen e fuqishme të Partisë Demokratike të Kosovës, Jashari rikandidon për një mandat të ri në Kuvendin Komunal të Lipjanit. Ai synon të vazhdojë misionin e tij për të qenë ura e besueshme mes qytetarit dhe vendimmarrjes lokale, duke garantuar që interesi publik të jetë gjithmonë prioritet.
Arsim Jashari mbetet shembull i një politikani që flet pak e punon shumë, një zë i ndryshimit dhe i qytetarit, aty ku vendosen fatet e përbashkëta.