“Mbështetja, mirëmbajtja dhe licencat vjetore për nevojat e Sistemit Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës (SIMFK)”. Kështu quhet tenderi më i ri i negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, i realizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga ministri Hekuran Murati. Bëhet fjalë për një tender që shteti po e negocion në vazhdimësi, veçse tash i është rritur pak çmimi, shkruan Demokracia.com.
Kontrata me vlerë të përgjithshme prej 800,000.00 euro, do të lidhet me kompaninë “FREEBALANCE KOSOVA” SH.P.K. Ministria fillimisht kishte vendosur një vlerë të parashikuar për këtë kontratë prej 740,000 euro, por pas procesit të negociatave, vlera është rritur në 800,000 euro.
Sipas dokumentacionit të tenderit, kontrata ka për qëllim ripërtëritjen e marrëveshjes vjetore me kompaninë kanadeze FreeBalance për përdorimin e licencave, mbështetjes dhe mirëmbajtjes së SIMFK-së. Ky sistem është esencial për funksionimin dhe ekzekutimin e buxhetit të Kosovës nga të gjitha organizatat buxhetore, nëpërmjet zyrtarëve të trajnuar dhe certifikuar nga Thesari.
Kontrata përfshin angazhimin e katër konsulentëve të kompanisë “FreeBalance Kosova SH.P.K”, të cilët janë të punësuar direkt në zyrat e Thesarit.
Për më tepër, kontrata detyron kompaninë të ofrojë qasje në ekipin ndërkombëtar të ekspertëve të Support and Sustainability Services, për zgjidhjen e çështjeve më komplekse që mund të shfaqen gjatë përdorimit të sistemit. Me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, konsulentët lokalë të FreeBalance mund të angazhohen edhe për përkrahjen e proceseve të tjera të IT-së në Thesar, deri sa të arrihet ngritja e plotë e kapaciteteve vendore.
Gjithashtu, mirëmbajtja vjetore përfshin përditësimin e vazhdueshëm të SIMFK-së, bazuar në kërkesat dhe nevojat e Thesarit, për të siguruar performancë dhe siguri optimale në ofrimin e shërbimeve ndaj organizatave buxhetore.
Procesi i negocimit dhe mungesa e transparencës
Ministria e Muratit ka bazuar çmimin prej 740,000 euro në kontratën paraprake dyvjeçare, të lidhur në fund të vitit 2022, me vlerë 731,364 euro. Kjo kontratë ishte valide deri më 28 dhjetor 2024. Por, siç vërehet, vlera e kontratës së re është rritur me 70,000 euro, edhe pse shërbimet mbeten të njëjta.
Nëse ministria do të kishte proceduar me një tender të hapur, jo vetëm që do të rritej transparenca e procesit, por edhe kompania e njëjtë do të ishte detyruar të paraqiste një ofertë më konkurruese, për shkak të konkurrencës që do të sillte procedura e hapur.
Nga ana tjetër, nëse analizohet dokumenti “Dosja e tenderit”, “njoftimi për dhënie të kontratës‘ që është publikuar në të njëjtën procedurë, vërehet një mospërputhje me kontratën paraprake dhe me datën e fundit të bërjes publike të lidhjes së këtij tenderi. Konkretisht, sot ministria ka njoftuar se do të lidhë kontratë me këtë kompani me validitet prej 2 vitesh, pasi edhe kontrata paraprake ishte e vlefshme deri më 28 dhjetor 2024. Ndërkaq, siç përmendet në “Dosjen e tenderit”, thuhet se kontrata e re hyn në fuqi më 2 janar 2024 dhe përfundon pas 24 muajsh, ose më 2 janar 2026.
Në tetor të vitit 2023, ministria kishte lidhur një kontratë tjetër, por të ngjashme të negociuar me “FreeBalance Kosova” SH.P.K, për “Ndërlidhjen dhe zhvillimin e nën-modulit për Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës me e-Prokurimin” brenda Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Vlera e kësaj kontrate 6-mujore ishte 134,874 euro.
Sipas të dhënave të ARBK-së, personat e autorizuar të kompanisë “FreeBalance Kosova SH.P.K” janë Afrore Rudi dhe Donald Douglas Gibbons, ndërsa pronar i saj është kompania kanadeze FreeBalance Inc., e cila mban 100% të aksioneve.
P.sh. bazuar në faqen e prokurimit publik kanadez, kjo kompani merr tender atje, por me procedurë të hapur dhe bazuar në natyrën e njëjtë të tenderëve, çmimet e ofruara atje nuk duken më të shtrejta sesa oferta për Kosovë.
Në bazë të faqes zyrtare të kompanisë, thuhet se FreeBalance ka mbështetur Qeverinë e Kosovës që nga viti 1999, duke ndihmuar në zhvillimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e SIMFK-së. Përmes projekteve të reja si ndërlidhja me sistemin e e-Prokurimit dhe portali i transparencës, kompania synon të përmirësojë efikasitetin, pajtueshmërinë dhe transparencën fiskale të qeverisë së Kosovës. /Demokracia.com/