Wednesday, March 12, 2025
No menu items!
spot_img
BallinaBlogDOKUMENT|Për herë të tretë  dështon tenderi për furnizim me dru për Institucionet...

DOKUMENT|Për herë të tretë  dështon tenderi për furnizim me dru për Institucionet Publike në Shtime

Në Komunën e Shtimes, pushteti lokal i udhëhequr nga Qemajl Aliu dhe koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR), ka dështuar në furnizimin me dru për institucionet publike, përfshirë shkollat dhe çerdhet, duke i lënë ato pa ngrohje. Sot, për të tretën herë radhazi, është pezulluar aktiviteti i prokurimit për furnizimin me dru për institucionet e komunës, në kuadër të një kontrate kornizë dyvjeçare (ri-tenderim).

Javën e kaluar, situata mori vëmendje kur një prind, duke marrë vesh për mungesën e ngrohjes në shkolla, në mënyrë vullnetare dërgoi dru në shkollën e fshatit Rashincë. Drejtori i shkollës “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë, Festim Rexha, pas presionit të Yllka Fejzullahut dhe Lulzim Sahitit, përmes një videoje në rrjetet sociale, tentoi të minimizonte problemin, duke treguar drunjtë e harxhuar në depon e shkollës, duke akuzuar përgjegjësin e shkollës në Rashincë, Adil Qorrollo e që shumica drunjve në video ishin dhuratë nga prindi Skender Rushiti. Përkundër gjestit human, prindi u fye nga drejtori dhe madje u raportua në Policinë e Kosovës.

Improvizime dhe Keqmenaxhim në Furnizimin me Dru

Një punëtor teknik, S.S., i kontaktuar nga Shtimepress, raportoi se furnizimi me dru për ngrohje po bëhej në mënyrë të improvizuar dhe të paorganizuar nga Drejtoria e Arsimit dhe administrata komunale. Ai përmendi se drutë e përdorura për ngrohje në çerdhen e Muzeqinës ishin transportuar nga shkolla e fshatit Petrovë, përmes përgjegjëses së çerdhes, Arbona Qorrolli, e cila ka lidhje familjare me kryesuesin e Kuvendit Komunal. Për më tepër, ai theksoi se kalldaja në çerdhen e re të Muzeqinës u prish që në fillim, duke u zëvendësuar me pajisje klimatike elektrike – një zgjidhje e përkohshme dhe e papërshtatshme për dimër.

Në fshatin Belinc, drutë për ngrohje u siguruan nga shkolla e Lagjes së Pajtimit, të kursyera nga viti i kaluar, fakt i konfirmuar edhe nga punëtori teknik N.Sh. Në shkollën “Emin Duraku” dhe në shkollën amë të Muzeqinës, drutë e përdorura ishin gjithashtu të kursyera, jo rezultat i një furnizimi të ri. Në një rast tjetër, një kamion me dru, i shkarkuar në kushte të këqija moti, përmbante materiale të lagura dhe të papërshtatshme për ngrohje. Një sinjalizues raportoi se sasia e shënuar në faturat zyrtare nuk përputhej me atë reale, ndërsa zyrtari përgjegjës, Idriz Mehmeti, dyshohet për raportime të pasakta në dokumentacionin zyrtar.

Manipulime në Prokurim

Sot, më 25 nëntor 2024, tenderi për furnizimin me dru u pezullua për shkak të ankesave nga kompanitë pjesëmarrëse, ndërsa Drejtoria e Prokurimit, me ushtruese detyre Feride Rehxja, nuk po respekton procedurat ligjore. Dyshimet rriten për manipulim të tenderit dhe për blerje të negociuar nga komuna, në kundërshtim me rregullat në fuqi.

Shpërndarja e drunjve pa kontratë sin në rastin e shkollës së fshatit Muzeqinë, të përfunduar ngre pyetje serioze: Si u siguruan këto dru dhe mbi çfarë baze u shpërndanë pa një kontratë të formalizuar? A është kjo përpjekje për të fshehur dështimin e furnizimit apo dëshmi e mungesës së përgjegjësisë nga pushteti lokal?

Pasojat e Keqmenaxhimit

Në rrjetet sociale, shumë mësimdhënës raportuan probleme të ngrohjes në Gjimnazin “Naim Frashëri”, Shkollën Profesionale, dhe shkollat e fshatrave Godanc, Reçak, dhe Petrovë. Në shkollën e Gjyrkocit dyshohet se po përdoret pelet me afat të skaduar, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e nxënësve dhe stafit.

Po ashtu, sot raportohet se nga shkolla e Muzeqinës janë bartur dru për ngrohje për dy shkolla fillore, përfshirë “Emin Duraku” në qytet. Gjithashtu, nga Shkolla Profesionale është furnizuar edhe shkolla e fshatit Reçak.

Ky keqmenaxhim për furnizimin me dru për ngrohje në Institucionet Shkollore të Shtimes, pasqyron mungesën e organizimit, transparencës dhe përgjegjësisë në qeverisjen lokale të Komunës së Shtimes. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe hetim të thelluar nga autoritetet përkatëse. /Shtime Press.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com