Drejtori Ekzekutiv i PDK-së në nivel të Kosovës, me anë të një komunikate ka kritikuar qeverinë e Kosovës për një vendim që sipas tij është i pazakont.
“Me datën 18 nëntor 2024, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të pazakontë duke ndarë 11,835 euro për Komunën e Kamenicës, një komunë e cila udhëhiqet nga partia Vetëvendosje, e njëjta forcë politike që drejton edhe Qeverinë e Kosovës nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti. Fondet janë dedikuar për organizimin e një vizite në Belfast, Irlandë, me arsyetimin zyrtar të promovimit të sistemit të arsimit të përbashkët ndërmjet komiteteve dhe shkëmbimit të përvojave. Mjetet janë ndarë nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit, nën-programi për promovimin e vendit, dhe urdhërohet që ato të derdhen në xhirollogarinë e Komunës së Kamenicës”, ka shkruar Ismajli.
Sipas tij, ky vendim ngre disa pyetje interesante dhe disi ironike: a ka mungesë aftësish promovuese në ministritë apo institucionet e tjera qendrore, saqë barra e rëndë e promovimit të arsimit kosovar është deleguar pikërisht te Komuna e vogël e Kamenicës? Apo ndoshta ky vendim reflekton harmoninë e plotë politike mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, të cilat udhëhiqen nga e njëjta forcë politike?
“E sigurt është që kjo vizitë në Belfast do të jetë nën vëzhgim të rreptë publik: a do të sjellë rezultate konkrete për arsimin tonë, apo do të mbetet një shembull tjetër i shpenzimeve të diskutueshme nga buxheti i shtetit? Në çdo rast, promovimi i Kosovës si një fuqi arsimore ndërkombëtare tashmë ka një ambasador zyrtar: Kamenica e Vetëvendosjes”, ka shkruar ai. /Rrjeti/
