Wednesday, January 22, 2025
No menu items!
spot_img
BallinaBlogKEDS vendos kritere që kufizojnë konkurrencën në tenderët e saj, kërkon që...

KEDS vendos kritere që kufizojnë konkurrencën në tenderët e saj, kërkon që kompanitë të jenë paguese të rregullta të rrymës

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), edhe pse një kompani private, është një subjekt i rregulluar nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) dhe ndjek standarde të ngjashme me ato të prokurimit publik. Megjithatë, një nga praktikat e saj të tenderimit ngre shqetësime për transparencën dhe barazinë në konkurrencë, shkruan Demokracia.com.

Një nga kriteret e përdorura në proceset e prokurimit të KEDS kërkon që operatorët ekonomikë ofertues të dëshmojnë se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike. Ky kriter është përsëritur në dokumentet e tenderëve, ku përfshihet edhe obligimi për të paraqitur faturat e paguara ose raportet që tregojnë statusin e pagesave.

Në një nga procedurat e tenderimit të KEDS, një seksion specifikon: “Operatori Ekonomik duhet të dëshmojë se është pagues i rregullt i energjisë elektrike, për kompanitë vendore”. Për kompanitë ndërkombëtare, kjo kërkesë nuk aplikohet.

Ligji për Prokurimin Publik, i cili ndjek parimet e BE-së, përcakton se kriteret e tenderëve duhet të lidhen drejtpërdrejtë me objektin e kontratës. Pagesat e energjisë nuk kanë lidhje direkte me aftësinë e një kompanie për të përmbushur shërbimet ose punimet e kërkuara, çka e bën këtë kriter të diskutueshëm.

Ky kusht përjashton kompanitë që mund të jenë në procese kontestimi ose me vështirësi financiare, edhe nëse ato janë plotësisht të afta për të kryer punën e kontraktuar. Si kompani e rregulluar në tregun e energjisë, KEDS ka detyrimin të ndjekë standarde transparente dhe të mos vendosë kushte që mund të interpretohen si favorizim për klientët që janë pagues të rregullt.

ZRRE, si rregullator, ka përgjegjësinë të mbikëqyrë aktivitetet e operatorëve të sektorit të energjisë, përfshirë KEDS-in, për të siguruar që të respektohen standardet dhe rregulloret. ZRRE nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e Demokracia.com, të cilat përfshijnë shqetësime për kriteret e prokurimit dhe monitorimin e tenderëve nga ky institucion.

Edhe KEDS nuk ka dhënë deklaratë për këtë çështje, duke ngritur pyetje të mëtejshme për transparencën dhe drejtësinë në proceset e tenderimit të saj. Ndërkohë, përdorimi i kritereve që lidhen me pagesat e energjisë mund të perceptohet si një politikë e brendshme që synon mbrojtjen e interesave të kompanisë, por ngre dyshime për kufizim të konkurrencës.

Në rast se një institucion publik, si Ministria e Financave apo Komuna e Vushtrrisë, do të vendoste një kriter të tillë, kjo do të konsiderohej si shkelje e Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon kritere proporcionale, të paanshme dhe që nuk kufizojnë konkurrencën në mënyrë të panevojshme.

KEDS, përmes procedurave të saj të tenderimit, shpenzon miliona euro në vit, por ende nuk është e qartë se si trajton ankesat e kompanive pjesëmarrëse, çka rrit edhe më shumë shqetësimet për transparencën e saj.

KEDS (Kosovo Electricity Distribution Company) është një kompani private që merret me shpërndarjen dhe menaxhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Kompania është pjesë e grupit turk “Çalık Enerji”, i cili ka fituar kontratën për menaxhimin e rrjetit të shpërndarjes pas privatizimit të këtij sektori në vitin 2013. KEDS është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së energjisë, si dhe për sigurimin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët në mbarë vendin. /Demokracia.com/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com