Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, së bashku me kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamzën, sot në katërvjetorin e dërgimit të tyre në Hagë i kanë vizituar familjet e Thaçit dhe Veselit.
Hamza ka thënë se nëntorët e viteve të fundit nuk janë si të mëparshmit, sepse ipresidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre po i mungojnë Kosovës.
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se familjet, sikurse edhe ata, janë plot me shpresë që ky proces i stërzgjatur së shpejti do të marrë fund me konfirmimin e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe rikthimin e tyre në mesin tonë.
“Nëntorët e viteve të fundit nuk janë si mëparë. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, po i mungojnë Kosovës, familjeve dhe gjithë neve.
Sot i vizituam familjet e tyre, të cilat janë plot me shpresë, siç jemi edhe ne, që ky proces i stërzgjatur së shpejti do të marrë fund me konfirmimin e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe rikthimin e tyre në mesin tonë. Sot, më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për ta, për Kosovën dhe të ardhmen e popullit tonë.”, ka shkruar Hamza.
https://www.facebook.com/share/p/1AsFhnp4s8/
Ndërsa, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se fati i tyre u bë fati i Kosovës.
Kreu i PDK-së ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë shokët e tyre do të dalin faqebardhë edhe nga kjo betejë e fundit për të vërtetën dhe të drejtën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli u lindën për t’i shërbyer atdheut. Fati i Kosovës, u bë fati i tyre. Rrugëtimi i tyre ndër dekada, si çlirimtarë, shtetformues dhe liderë vizionarë – është një histori e jashtëzakonshme dashurie dhe kontributi për Kosovën.
Sot, kur po bëhen 4 vite nga arrestimi i tyre nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në dy takime të përzemërta që pata me Lumen dhe Endritin, gruan dhe të birin e Presidentit Thaçi, si dhe me Violetën dhe Klestorin, gruan dhe të birin e Kryetarit Veseli – rikthyem në kujtesë momentet më krenare me ta si familjarë e bashkëpunëtorë, fjalët me peshë e rrugën që na e trasuan drejt fitoreve e sukseseve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë shokët e tyre do të dalin faqebardhë edhe nga kjo betejë e fundit për të vërtetën dhe të drejtën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pa dyshim, dielli do të lindë përsëri!”, ka shkruar Krasniqi.