Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza po qëndron për vizitë në Paris, prej ku ka njoftuar se ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë nga kabineti i presidentit Emmanuel Macron dhe Qeveria, më konkretisht, Ministria e Jashtme.
Përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, Hamza ka thënë:
“Në takimin me zyrtarë të nivelit të lartë në Paris, theksova rëndësinë jetike për Republikën e Kosovës të mbështetjes historike dhe të vazhdueshme të Francës në proceset e integrimit euro-atlantik. Vura në dukje shumë fusha si ekonomia, siguria, etj., ku ky bashkëpunim mund të forcohet.”
Hamza më tutje ka falënderuar nikoqirët e takimit duke shkruar: “Falënderoj z. Bertrand Buchëalter, këshilltar i Presidentit Emanuel Macron për Europen kontinentale dhe Turqinë, Ambasadorin René Troccaz, të deleguarin special për Ballkanin Perëndimor, znj. Marguerite Costa de Beauregard, drejtoreshë për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, për angazhimin e tyre për progresin në Ballkan dhe Kosovë.”
Kujtojmë se kjo vizitë e paparalajmëruar është e dyta që Bedri Hamza bën në kryeqytetet e shteteve te QUINT, pas një vizite në gusht në SHBA, ku kandidati opozitar për kryeministër u prit në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentin e Shtetit.
Vizita e Hamzës në Elysee vjen në kohën e ftohjes së marrëdhënieve në mes qeverisë së Kosovës dhe asaj Franceze, pas mosmarrveshjeve rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, që u bllokua nga Gjermania dhe Franca.