Tuesday, October 22, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaBlogMbyllja e institucioneve paralele në “pauzë”, çfarë kishin paralajmëruar Elbert Krasniqi e...

Mbyllja e institucioneve paralele në “pauzë”, çfarë kishin paralajmëruar Elbert Krasniqi e Xhelal Sveçla

Gjatë këtij viti janë mbyllur disa komuna paralele, vendim që u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare. Ministri Elbert Krasniqi paralajmëroi se do të mbyllet edhe ajo në Graçanicë dhe Skënderaj, ndërsa ministri Xhelal Sveçla ka thënë se institucionet e arsimit dhe shëndetësisë do të trajtohen në mënyrë specifike.

Në janar të këtij viti katër komuna paralele serbe u mbyllën në Dragash. Pas disa ditësh njëjtë u veprua edhe në Pejë, Istog e Klinë.

Ndërsa në fund të gushtit u mbyllën edhe pesë institucione paralele të Serbisë në Veri. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pati bërë të ditur se bëhet fjalë për: Qarkun e Mitrovicës së Kosovës, Komunën paralele të Mitrovicës, Komunën paralele të Zveçanit, Komunën paralele të Zubin Potokut dhe Komunën paralele të Leposaviqit.

Këtë vendim e patën kritikuar ambasada e SHBA’së duke thënë se është “e shqetësuar dhe e zhgënjyer”, ndërsa ambasadori gjerman dhe ai francez thanë se vendimi ishte “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.

Paralajmërimi i Elbert Krasniqit për mbylljen e komunës paralele në Graçanicë

Më 18 shtator, ministri Krasniqi, në një intervistë në “Frontal” të T7, ka paralajmëruar mbylljen e komunës paralele të Prishtinës me seli në Graçanicë, transmeton express.

Ai tha se nuk ka vend për institucione të Serbisë në Kosovë. Krasniqi paralajmëroi edhe mbylljen e një zyre paralele në Skënderaj.

“Nëse sot do ta zhvillonim këtë bisedë dhe temë do të ishte mbyllja e zyrës në Graçanicë, ju do të thonit pse s’po mbyllen në Veri. Nuk ka vend për institucione të Serbisë në Kosovës. Nuk e di me datë se kur do të mbyllet. S’dua të banalizoj, por një zyrë paralele është edhe në Skenderaj, edhe ajo do të mbyllet”, ka thënë ai.

Krasniqi shtoi se në Kosovë “nuk mund të ekzistojë” asnjë komunë paralele.

“Pas Prizrenit, Dragashit, Klinës, Istogut, radha ka ardhë në Mitrovicë. Të gjitha do të mbyllen. S’do të mund të ekzistojë në Kosovë asnjë komunë paralele”, ka thënë ministri Krasniqi.

Në përvjetorin e parë të sulmit terrorist në Banjskë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se të gjitha institucionet ilegale që operojnë në Kosovë “në një kohë apo tjetër, do ta kenë fatin e njëjtë, sikur ato që tashmë janë mbyllur”.

“Është çështje e përgatitjeve operacionale të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sveçla: Shëndetësia dhe arsimi do të trajtohen në mënyrë specifike

Ministri Sveçla u pyet për deklaratën e kolegut të tij, ministrit Nenad Rashiq, se mbyllja e institucioneve arsimore dhe shëndetësore është çështje kohe.

Ai u përgjigj se sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb përmes qeverisjeve komunale ka një autonomi më të gjerë në arsim dhe shëndetësi.

“Sipas Pakos së Ahtisaarit, komuniteti serb në këto dy sfera, përmes qeverisjeve komunale, ka një autonomi më të gjerë. Do të thotë, shëndetësia dhe arsimi kanë disa të drejta shtesë, disa privilegje, të cilat ne nuk jemi të interesuar që t’i prekim, sepse janë edhe në ligj. Andaj, në këto fusha do të jemi më të kujdesshëm, në kuptimin e përcaktimit të saktë të veprimtarisë së tyre brendapërbrenda ligjeve të Kosovës. Më herët, unë po flisja për komuna paralele, për shërbime, që nuk parashihet të ofrohen nga askush tjetër, përveç institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sveçla tha se shëndetësia dhe arsimi do të trajtohen në mënyrë specifike ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera.

“Jo, nuk po them [se do të vazhdojnë të funksionojnë] nën sistemin e Serbisë. Po them që këto dy shërbime apo këto dy fusha kanë situatë specifike dhe do të trajtohen në mënyrë specifike, ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera, të cilat janë tashmë në proces.”

Sveçla nuk dha detaje se si do të operojnë këto institucione, por tha se Ministria e Shëndetësisë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor që punon në këto komuna. Sipas tij ajo që nevojitet është koordinimi i shtuar mes dy palëve që gjithçka të futet në bazën e ligjshmërisë.

Sipas tij e njëjta duhet të jetë edhe me sistemin arsimor.

“Të gjitha këto gjëra janë të parapara me ligj. Krejt çfarë do të bëjmë, është të kërkojmë që ligjet e Kosovës të zbatohen me përpikëri. Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor, i cili punon në këto komuna. Unë besoj se krejt çfarë nevojitet, është një koordinim i shtuar mes të dyja palëve, në mënyrë që çdo gjë të futet në bazën e ligjshmërisë. E njëjta gjë do të duhej të ishte edhe me sistemin arsimor”, tha Sveçla për REL.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com