Dy kandidatë që nuk e kaluan testin me shkrim për infermier me shkollë të mesme për degët kirurgjike në QKUK, pas rivlerësimit iu trefishuan pikët në test dhe pas intervistës me gojë u pranuan në punë, kjo ka bërë të ngriten dyshime për manipulime në konkursin për infermierë në QKUK.
Kandidati me shifër 834 në rezultatet e publikuara më datë 27 gusht 2024 mori vetëm 21 pikë në testin me shkrim.

Në rezultatet e publikuara më datë 6 shtator 2024 pas mbajtjes së intervistës me gojë, kandidati 834 doli me rezultat 61 pikë në testin me shkrim dhe 27.8 në intervistë, gjithsej 88.8 pikë si kandidat i pranuar.
Rezultatet përfundimtare, kandidati 834 del me 61 pikë në test dhe si kandidat i pranuar me 88.8 pikë.

Kandidati tjetër me shifër 424 ishte kandidat në konkursin për infermier në klinikat jo kirurgjike në QKUK i cili iu nënshtrua testit me shkrim në këtë konkurs dhe doli me rezultat prej vetëm 12 pikë.

Por, kandidati me të njëjtën shifër figuron tashmë në dokumentet e rezultateve në konkursin për infermier në klinikat kirurgjike. Në këtë dokument kjo shifër rezulton me 60 pikë në test, pra 48 pikë më shumë sesa i kishte fillimisht. Dhe poashtu 28.2 pikë në intervistën me gojë, në total 88.2 pikë si kandidat i pranuar.

Menaxhmenti i SHSKUK-së këto dy raste ku kandidatët kanë dal me trefishim të pikëve, i ka quajtur “lëshime” të cilat janë përmirësuar pas rishikimit të testeve nga kandidatët.
“Pas rishikimit të testeve, ka rezultuar se në 8 kanë raste ka pasur lëshime, qoftë nga ana administrative, qoftë nga ana e komisionit, në disa prej tyre janë edhe ato shifra që janë cekur në pyetjet tuaja. Janë përmirësuar lëshimet e ndodhura dhe kandidatët janë ftuar për intervistë me gojë”, kanë thënë nga SHSKUK.
Nga SHSKUK nuk kanë dhënë sqarime për kandidatin i cili kaloi nga degët jo kirurgjike dhe u pranua në degët kirurgjike. /Demokracia/



