Thursday, December 26, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajme26 janari data më e përmendur nga partitë për zgjedhje, Presidentja përgjigjen...

26 janari data më e përmendur nga partitë për zgjedhje, Presidentja përgjigjen e VV’së e pret me shkrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot mblodhi liderë partish politike për t’u konsultuar rreth shpalljes së datës së zgjedhjeve. Aty s’shkoi kryetari i partisë më të madhe Albin Kurti. Takimi s’ishte për të caktuar datë, por aty u dëgjuan opsionet e subjekteve politike. Tre krerët e partive opozitare – Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj- e dhanë një datë. Megjithatë presidentja u kujdes të tregohet e qartë që vlerësimi përfundimtar është kompetencë e saj, derisa u mor me mungesën e Kurtit dhe ia kushtoi një “diss” ministres Gërvalla.

Sot presidentja Osmani qe nikoqire e një takimi me kryetarë të subjekteve politike në Kosovë. Ajo e thirri këtë takim konsultativ për të diskutuar për shpalljen e datës së zgjedhjeve të rregullta nacionale, meqë janë edhe 6 muaj deri në përfundim të mandatit të legjislaturës së vitit 2021. Ajo tha se sipas ligjit janë 4 data për zgjedhje – 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti.

Liderët opozitarë, njëjtë siç edhe ishte deklaruar para takimit, ishin prezentë dhe te ta pati një pajtim se cila të jetë data e zgjedhjeve të ardhshme. Ata e dhanë 26 janarin si datë për t’u mbajtur zgjedhjet nacionale.

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se “meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme”.

“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje.”

Krasniqi ka thënë se PDK, që tashmë e ka caktuar Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, është gati për zgjedhje në çfarëdo date. Ai ka shtuar se “Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”.

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK’së, ka thënë se “sipas afateve kushtetuese, konsultimet për datën e zgjedhjeve nisin nga 26 korriku; vetëm 3 javë larg datave të darkave joformale”. Sipas tij kjo e bën përpjekjen e shpërbërjes së Kuvendit dhe të heqjes së përgjegjësisë nga Qeveria populliste krejt të panevojshëm dhe të dëmshëm.”

Ai ka shtuar se “vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit”.

“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme.”

Abdixhiku ka thënë se “zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë”.

Mirëpo, gjatë konferencës që Osmani mbajti pas takimit tha se vlerësimi përfundimtar për datën e zjgedhjeve i takon asaj.

“Tash fjala konsultim do të thotë se i dëgjoj, por jo domosdoshmërisht veproj sipas preferencave të partive. Vlerësimi përfundimtar është i presidentes së Republikës. Gjithnjë ka qenë kështu edhe me presidentët paraprakë, mos më keqkuptoni, nuk është kjo ndonjë kompetencë e re”, tha ajo.

Ndërsa, i pari i AAK’së, Ramush Haradinaj, duke njoftuar se ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, ka thënë se shpreson që presidentja ta përfillë kërkesën e partive dhe ta caktojë  26 janarin.

“Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar.”

Haradinaj tha se “partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja”.

Mungesa e Kurtit

Në takimin Osmani- kryetarë të partive, nuk mori pjesë lideri i VV’së, Albin Kurti. Osmani bëri të ditur se nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, ka shprehur vullnetin të marrë pjesë mirëpo diçka e tillë s’ka qenë e mundur meqë Presidenca ka respektuar parimin e njëjtë për të gjitha partitë politike.

Në konferencën për media Osmani ka thënë se ftesa e parë për këtë takim i kishte shkuar kryetarit të VV-së, Albin Kurtit, i cili kishte konfirmuar se data është në rregull.

“Ne i kemi ftuar të gjitha partitë. Ftesa e parë i ka shkuar kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të VV-së, pasi ma ka konfirmuar që data është në rregull për të, ftesat iu kanë shkuar të gjitha partive politike sipas madhësisë. Të gjithë e kanë ditur që takimi mbahet më 31 korrik. E falënderoj nënkryetarin e VV-së që ka shprehur gatishmëri të vijë, por është dashur të aplikohet parimi i njëjtë për të gjitha partitë. Në sytë e presidencës të gjitha partitë duhet të trajtohen njësoj”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se ua ka ofruar mundësinë partive që të dërgojnë edhe komentet e tyre me shkrim, por ka thënë se nga VV s’ka arritur ndonjë letër deri në momentet që po fliste në konferencë.

“Nëse do të kërkojë VV konsultime apo jo, s’mund të flasë për këtë. Iu kam ofruar që të dërgojnë qëndrimin me shkrim, por së paku deri në këtë momente nuk e kanë dërguar”, ka thënë Osmani.

Mirëpo arsyetimi i Qeverisë ishte se kryeministri nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të një dreke me ambasadorë, ku e kishte konfirmuar pjesëmarrjen para tri javësh.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu ka thënë se Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme.

“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.

“Dissi” i Osmanit për Gërvallën

Duke folur në një aktivitet të organizuar nga MPJ-ja për mërgimtarët, pasi performoi Dafina Zeqiri, ministrja Gërvalla tha mbrëmë se ajo “e këndoi këngën e presidentes – ‘llafe, llafe’”.

Mu për këtë u pyet presidentja Osmani në konferencën pas takimit. Ajo e ka pranuar se nuk ka marrëdhënie shumë të mira me Gërvallën, bashkëpunëtoren e saj dikur.

Ajo ia ktheu Gërvallës “diss’in” me disa rreshta të një kënge të Dafina Zeqirit – “Me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast përsëritës i gabimeve.

“Nuk do të komentoja raporte, po kemi dallime në qëndrime të cilat janë të qarta, janë publike dhe nuk është as në interes të qytetarëve, as në interes të Kosovës që ato mos të thuhen publikisht. Por ndoshta për detaje ndonjëherë tjetër. Në qoftë se doni pak me këngë të Dafinës me vazhdu, e ka një të re tash, para një muaji: ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve’, ‘me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe këngë tjera Dafina”, tha Osmani.

Ajo e përgëzoi këngëtaren, për të cilën tha se është “një përkrahëse e madhe e fuqizimit të gruas dhe kauzës së barazisë gjinore”. Gjithashtu, përmendi se kënga të cilës iu referua, është “përpunim i këngës së Gilit”. “Se mos na hidhërohet Gili…”. /GazetaExpress/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com