Ramiz Qeriqi fillon dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën ka filluar dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi, me kodin W4741, në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi është ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, i Brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

ZPS thotë se Qeriqi hyri në Kosovë në mars të vitit 1998 bashkë me të tjerë dhe fillimisht shkoi në Likovc me udhëzim të Azem Sylës dhe atje u takua me Rexhep Selimin, i cili i dha udhëzime për të organizuar dhe shtrirë njësitet e UÇK-së në zonën e tij.

Me pas, thuhet se shkoi në Kleçkë dhe përfundimisht në Krojmirë, në zonën e tij ku dhe ushtroi funksionet e veta.

Ai thuhet se ka qenë komandant i batalionit të dytë të Brigadës 121, një pozitë që u formalizua prej Fatmir Limajt, duke e emëruar me shkrim në mes të gushtit 1998.

Sipas ZPS-së, në fillim të gushtit 1998, Ramiz Qeriqi u vizitua nga Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte Qeriqi me Shukri Bujën. Ai thuhet se mbeti në këtë pozitë deri në demobilizimin e UÇK-së.

Qeiqi pritet të dëshmojë për strukturën, organizimin dhe veprimtaritë e batalionit të tij dhe të Brigadës përgjatë luftës.

Prokurorja Silvia D’Ascoli, pyetjet për dëshmitarin i fokusoi të libri i shkruar nga Jakup Krasniqi “Kthesa e Madhe-Ushtria Çlirimtarë e Kosovës”, ku një pjesë e madhe e përgjigjeve nuk u dëgjuan, edhe përkundër që dëshmitarit iu tërhoq vërejtja nga trupi gjykues që të pres disa sekonda para se të përgjigjet.

Ai u pyet lidhur me atë që thuhet në libër për zonën operative të Pashtrikut, konkretisht me funksionalizimin e kësaj zone.

Kur u pyet se a i ka njohur Ahmet Qeriqin, Esat Sahitin dhe Fitim Selimin, dëshmitari tha se pohoi një gjë të tillë.

“Ahmet Qeriqin e kam pasur kushëri, Eset Sahiti ka qene në Batalioni e pare, Fitim Selimi ka qenë doktor”, tha dëshmitari Qeriqi.

Dëshmitari është pyetur për një dokument që sipas prokurores D’Ascoli i është dhënë Tribunalit të Hagës në vitin 2005, dokument i nënshkruar nga Shukri Buja.

Sipas dëshmitarit, ky dokument është lëshuar nga Shukri Buja lidhur me udhëtimin Krojmir-Kleçkë.

“Është dashur me pas leje nga Shukri Buja dhe kjo është një leje e tillë. Është për një person që ka qenë në logjistikë”, tha dëshmitari.

Ndërsa, i pyetur se kush është ky person, dëshmitari tha se ishte vëllai i tij, por nuk u dëgjua kur e përmendi emrin e tij.

Paraprakisht, prokuroria D’Ascoli dëshmitarit ia paraqiti disa dokumente nga koha kur ai ishte dëshmitar në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, në intervistën e dhënë në vitin 2019 për Zyrën e Prokurorit të Specializuara dhe në seancën përgatitore.

Më pas, duke specifikuar pjesë të këtyre dokumenteve, prokurorja D’Ascoli kërkoi që ato të pranohen si prova materiale nga trupi gjykues, e të cilat edhe u pranuan.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë dy ditë. Sipas tij, Prokurorisë i duhen dy orë, ndërsa mbrojtjes 8 orë për të marrë në pyetje këtë dëshmitar.

Ndryshe, ashtu siç kishte filluar me seancë tërësisht të mbyllur, ashtu edhe ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të 54-të me kodin W04739 në këtë proces gjyqësor.