Shtime, 2 prill 2025- Shënohet sot 26 vjetori i rënies heroike të dëshmorëve Shefket Muhadini dhe Emin Troshupa, dy bij të denjë të kombit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Kjo ditë na rikujton sakrificën sublime të tyre dhe të gjithë atyre që ranë për idealin më të lartë-pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar.
Shefket Muhadini dhe Emin Troshupa, të dy nga Komuna e Shtimes, u radhitën në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftuan me trimëri kundër pushtuesit serb. Ata nuk kursyen asgjë për lirinë e atdheut, duke u bërë shembull i guximit dhe vendosshmërisë. Lufta e tyre nuk ishte thjesht për një betejë, por për një qëllim më të madh, një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Sot, Kosova gëzon lirinë falë sakrificës së tyre dhe të mijëra djemve e vajzave që u flijuan për një të ardhme më të mirë.
Nderimi për dëshmorët nuk kufizohet vetëm në kujtim, por në angazhimin tonë për të ruajtur dhe zhvilluar vlerat për të cilat ata ranë. Prandaj, le të kujtojmë Shefket Muhadinin dhe Emin Troshupën me krenari, duke vazhduar punën për një Kosovë të drejtë e të zhvilluar.
Lavdi përjetë dëshmorëve Shefket Muhadini dhe Emin Troshupa!
Lavdi dëshmorëve të kombit!/Komuna e Shtimes/


Të gjitha reagimet: