Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur vitin 2025 duke lidhur dy kontrata me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë, një veprim që ngre dyshime mbi transparencën dhe konkurrencën në prokurimet publike. Vlera totale e këtyre dy kontratave arrin në 888,320.00 euro dhe të dyja janë arsyetuar nga KEK-u si të nevojshme për shkak të emergjencës dhe nevojës për prodhimtari maksimale të rrymës, shkruan Demokracia.com.
KEK ka lidhur një kontratë me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë, duke eliminuar mundësinë për konkurrencë të hapur. Kontrata në vlerë prej 736,320.00 euro është lidhur me kompaninë e vetme të ftuar, N.T.P. “Xani-Inex”, për furnizimin me shirita transportues gomë-pëlhurë.
KEK-u ka deklaruar në ‘dosje të tenderit’ se mungesa e shiritave të gomës në depo ka shkaktuar një situatë kritike në operimin e Departamentit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ). Në përshkrimin e kontratës theksohet se shiritat e transportuesit në miniera janë të harxhuar dhe mirëmbajtja e tyre është bërë e pamundur, duke shkaktuar ndalesa të shumta në prodhim. Sipas KEK-ut, situata është aq emergjente saqë ndërprerjet e prodhimit në ditët e ardhshme mund të dëmtojnë realizimin e planit operativ.
Sipas kontratës, sasia e kërkuar për furnizim përfshin:
- Shirit transportues gome B=1800, 4000 metra
- Shirit transportues gome B=1600, 2000 metra
KEK-u ka arsyetuar përdorimin e procedurës së negocimit pa publikim, duke përmendur nevojën emergjente për prodhimtari maksimale në këto kushte.
“Gjendja e rënduar në miniera nga mungesa e shiritave të gomës, trashëguar ndër vite, ka sjellë situatën në një pikë kritike”, thuhet në deklaratën e KEK-ut.
Ndërsa KEK pretendon se procedura e ndjekur është e arsyeshme për shkak të urgjencës, fakti që është ftuar vetëm një kompani dhe nuk ka pasur publikim paraprak të njoftimit për kontratë ngre dyshime për konkurrencën dhe transparencën. Procedura e negocimit pa publikim është e lejuar nga ligji vetëm në rrethana specifike dhe emergjente, por përdorimi i saj i shpeshtë ka qenë një problem i vazhdueshëm në Kosovë, sidomos nga KEK-u.
Kontrata e dytë ka vlerë prej 152,000.00 euro dhe i është dhënë një grupi të operatorëve ekonomikë CONEX L.L.C. dhe DINI SH.P.K. Kjo kontratë përfshin furnizimin me gëlqere të hidratizuar, ka kohëzgjatje prej tre muajsh dhe hyn në fuqi nga data e nënshkrimit të saj.
Edhe pse emergjenca operacionale mund të justifikojë qasjen e ndjekur, dështimi për të hapur tenderë të rregullt më herët tregon një mungesë të menaxhimit dhe planifikimit të duhur, duke ngritur dyshime për transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike. /Demokracia.com/