Ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka deklaruar se angazhimi i avokatit Isuf Zejna si konsulent ligjor për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ishte rekomanduar nga miku i tij, profesori universitar dhe bashkëthemeluesi i organizatës joqeveritare GLSP, Fisnik Korenica. Sipas dëshmisë së dhënë nga Krasniqi në Prokurorinë Speciale, ai mori këtë rekomandim nga Korenica dhe nga Bashkimi Evropian (BE).
Në raportimet e fundit të mediave, avokati Isuf Zejna përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar në lidhje me një kontratë prej 60 mijë eurosh midis KEK-ut dhe zyrës ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C.”. Megjithatë, për qytetarët e Shtimes, Zejna nuk është një figurë e panjohur. Ai është promovuar hapur nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, në pozita të ndryshme të administratës komunale.

Në vitin 2022, Qemajl Aliu emëroi Zejnën si Kryetar të Komitetit të Auditimit të Brendshëm të Komunës së Shtimes. Ky emërim kulmoi me një kontratë të negociuar prej rreth 10 mijë eurosh për përfaqësim ligjor të komunës, një tender i dhënë pa konkurrencë dhe pa transparencë.

Tenderi mund të përmbante konflikt interesi, pasi Qemajl Aliu e kishte emëruar Zejnën së bashku me dy persona të tjerë, vetëm disa muaj më herët si Kryetar të Komitetit të Auditimit të Brendshëm. Zejna është emëruar në këtë pozitë më 12 maj 2022, ndërsa tenderin me negocim e ka përfituar në nëntor të po atij viti.

Sipas Prokurorisë Speciale, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Krasniqi dyshohet se ka kërkuar procedura të prokurimit të negociuara për të angazhuar studion ligjore të Zejnës, duke e përcaktuar atë si operator të vetëm, edhe pse studioja ishte shpallur e papërgjegjshme në një procedurë të mëparshme të hapur.
Në aktakuzë thuhet se Krasniqi kishte konsultuar Zejnën për kontratën dhe kishte kërkuar nga shefi i prokurimit në KEK të iniciohej procedura, pavarësisht se në dokumentet zyrtare nuk ishte e parashikuar.
Në deklaratat e tij të datës 29 dhe 30 gusht 2023, Krasniqi ka pohuar se rekomandimin për angazhimin e Zejnës e kishte marrë nga BE-ja dhe Fisnik Korenica. Ai ka pretenduar se komunikimet e tij me Zejnën nuk kanë zbuluar asnjë sekret afarist dhe nuk kanë dëmtuar interesat e KEK-ut.
Lidhur me kontratën dhe termat e referencës, Krasniqi ka theksuar se ato i referoheshin rasteve potenciale të arbitrazhit, ndërsa për komunikimet përmes email-eve dhe WhatsApp-it, ai ka thënë se nuk i kujtohen ose ishin të lidhura me mungesën e resurseve në KEK. /Demokracia.com/