Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është thirrur për të dëshmuar nga Prokuroria Speciale të hënën (sot), më 16 dhjetor 2024, shkruan Demokracia.com.
Kryeministri Kurti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit për një rast që lidhet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit (të publikuar nga Kryeziu) përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.
Intervistimi do të duhej të niste nga ora 09:30 në objektin e Prokurorisë Speciale.
Megjithatë, Kurti nuk ka shkuar për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.
Duket se kryeministri Albin Kurti është i vetëdijshëm që ka shkelur ligjin “me të dyja këmbët”, sa i përket procesit për blerjen e mallit të rezervave shtetërore.
Kabineti ministror më 26.02.2022 ka marrë vendim për shmangie nga procedurat ligjore të Ligjit për Rezervat Shtetërore për blerjen e rezervave shtetërore. Kësisoj i është hapur rruga MINT-it që të blejë produktet vetëm duke negociuar me palë dhe jo duke vendosur sipas Ligjit për Prokurimin Publik, i cili parasheh që blerja të jetë transparente dhe në një garë të hapur, por që pastaj deponimi dhe vendi i deponimit do të trajtoheshin si sekret.
“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave shtetërore – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/ L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe Rregullores Nr. 03 /19 për Prokurim për Qëllim të Mbrojtjes dhe Sigurisë”, thuhet decidivisht në vendimin e Qeverisë Kurti të muajit shkurt të vitit të kaluar, ku më pas edhe mallrat u blen me negocim, raporton Demokracia.com.
Demokracia.com i ka bërë një analizë Ligjit dhe Rregullores në të cilën është thirrur Kurti, kur ka vendosur që të bëjë shmangien ligjore.
…“mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/ L-244 PËR Rezervat shtetërore të Mallrave”.
Kësisoji, askund në ligj nuk specifikohet se blerja e mallrave është sekret dhe as që blerja mund të bëhet me negocim.
Ligji Nr. 03/L-244 për rezervat shtetërore të mallrave, tek neni 19 flet për procedurat ligjore sesi duhet të bëhet furnizimi me mallra, i cili decidivisht quhet “Procedurat e furnizimit me mallra”. Ky nen thotë se Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave përmes procedurave të Prokurimit Publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin njëvjeçar.
Pastaj, Neni 20 e përcakton më qartë sesi blerja duhet të bëhet me procedura të hapura dhe jo të negociuara.
“Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave sipas këtij ligji duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin përProkurim Publik. Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare”, thuhet shprehimisht në nenin 20 të këtij ligji, i cili siç shihet ka të bëjë me blerjen, shitjen dhe huazimin e rezervave shtetërore të mallrave.
….“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave shtetërore –Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’i mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim për Produkte të Rezervave shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë dhe Rregullores Nr, 03 /19 për Prokurim për Qëllim të Mbrojtjes dhe Sigurisë”…
Pra, kryeministri është thirrur edhe në këtë rregullore kur e ka bërë shmangien, rregullore kjo që nuk ka të bëjë aspak me rezervat shtetërore.
Kjo rregullore nuk e zbërthen Ligjin 03/ L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe nuk ka të bëjë aspak për prokurimet me të cilat merret ky ligj.
Rregullorja ka të bëjë kryekëput me shmangien e procedurave të prokurimit, veprimin e procedurave sekrete për blerjen e armatimit dhe pajisjeve tjera të sigurisë.
Decidivisht ajo quhet “Rregullore (QRK) NR. 03/2019 për prokurimin për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë”.
Cili është qëllimi i kësaj rregulloreje?
“Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave, kushteve dhe procedurave të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë, të furnizimeve, shërbimeve dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës”.
Pra, siç shihet rregullorja specifikon se si qëllim ka shërbimet dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës. Ndërsa, siç u pa më lartë, blerja e produkteve për rezervat shtetërore nuk është e përjashtuar nga LPP-ja, por është brenda saj.
Bile Neni 4 flet për “Prokurimet për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë”
“1.Rregullat e prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë të përcaktuara me këtë rregullore do të zbatohen për prokurimet si në vijim:
1.1. Furnizimi i pajisjeve ushtarake, duke përfshirë çdo pjesë dhe/ose komponentë të tij;
1.2. Furnizimi i pajisjeve të ndjeshme, duke përfshirë çdo pjesë dhe/ose komponentë të tij;
1.3. Punët, furnizimet dhe shërbimet e ndërlidhura drejtpërdrejt me pajisjet e referuara në nën paragrafët 1.1 dhe 1.2, të paragrafit 1 të këtij neni për secilin dhe të gjitha elementet e ciklit të jetës së tij;
1.4. Punët dhe shërbimet për qëllime specifike ushtarake; dhe
1.5. Punët dhe shërbimet e ndjeshme”.
Pra, shihet qartë se rregullorja ka të bëjë për institucionet që i kanë të rregulluara me ligj shmangiet nga procedurat e prokurimit, siç janë FSK-ja apo AKI-ja.
Madje, neni 5 i kësaj rregulloreje parasheh që të ketë konkurrencë për blerjen apo shërbimet, anipse procedurat do të udhëhiqeshin me negocim. Pra, oferta të dërgohet tek disa operatorë dhe kësisoj të shmanget çdo trajtim që favorizon një kompani të caktuar ose kompani potenciale. Edhe komisioni i përzgjedhjes do të duhej të përbëhej nga anëtarë profesional, madje edhe ekspertë të prokurimit e që në rastin e MTI-së nuk ka qenë asnjë.
Një veprim i tillë nga ana e ministrisë për të blerë mallra me kompani të caktuara ka mundur që të realizohet duke e dërguar në Kuvend për plotësim ndryshim Ligjin për Rezervat Shtetërore, pasi Parlamenti u jep vulën përfundimtare të gjitha ligjeve.
Ndryshe, produktet që konsiderohen si rezerva shtetërore, menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ndërsa, sipas legjislacionit, kontraktohen operatorët ekonomikë privat për ruajtje, të cilët po ashtu mbikëqyren vazhdimisht, kurse vendndodhja e tyre sipas ligjit në fuqi mbetet sekret shtetëror.
Se kryeministri dhe Qeveria kishin bërë shkelje në këtë rast, e kanë vërtetuar edhe vetë me vendimet e tyre të mëpastajshme, pas involvimit të Prokurorisw në këtë çështje. Vitin e kaluar, Ministria e Tregtisë kishte vendosur të mos e zbatonte atë vendim të qeverisë, por ishte bazuar në Ligjin për Prokurim, duke shpallur tender të hapur për rezervat shtetërore. Megjithatë, blerja e tyre kishte dështuar, pasi ofertat ishin shumë të shtrenjta. Edhe këtë vit, në një iniciativë tjetër, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka hapur një tender të ri për blerjen e grurit, dhe çështja është ende në proces, raporton Demorkacia.com.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka gjetur se përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar s’ka mbërritur në Kosovë.
Kështu, sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e publikon “Betimi për Drejtësi”, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë.
Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.
Muharremi ndihmoi dy zyrtarët e MINT të shkelnin ligjin
Ridvan Muharremi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte iu ndihmuar Irfan Lipovicës dhe Haviz Garës duke iu krijuar kushte për negocimin me kompanitë turke e polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.
Sipas Prokurorisë, Muharremi ishte personi kyç për t’i negociuar kushtet e kontratave me operatorët ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Muharremi kishte negociuar blerjen e 10 mijë tonë grurë nga Turqia me çmim prej 4 milionë 834 mijë e 778 euro.
Sipas Prokurorisë, Muharremi me këto kompani kishte pasur edhe më herët raporte kontraktuale dhe biznesore.
Muharremi ishte përfshirë në negocimin e blerjes edhe të vajit dhe sheqerit nga Polonia në vlerë prej 276 mijë euro, por që as vaji dhe as sheqeri nuk ka mbërritur në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, Muharremi dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Prokuroria në arsyetimin e nisjes së hetimeve për keqpërdorime të rezervës shtetërore paralajmëron se në ditët në vazhdim do t’i identifikojë edhe personat tjerë që do të ndiqen sipas detyrës zyrtare.
“Është i pakontestueshëm fakti se e tërë procedura e blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022 është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Lipovica kundërligjshëm kërkoi nga Qeveria anashkalimin e procedura të prokurimit për blerjen e rezervave
Irfan Lipovica dyshohet se në cilësinë e Zëvendës-sekretarit në MINT ka tejkaluar autorizimet ligjore duke kërkuar nga Qeveria anashkalimin e procedurave ligjore të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Prokuroria dyshon se Lipovica bëri këtë kërkesë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.
Sipas Prokurorisë, vendimi i Qeverisë i 22 shkurtit 2022, ishte marrë duke pas për bazë kërkesën e kundërligjshme të Lipovicës për anashkalimin e procedurave ligjore për blerjen e rezervave.
Lipovica dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka formuar edhe një Komision për Negocimin e Kontratave për Furnizim me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022 me të cilin ka anashkaluar procedurën e hapur të prokurimit publik.
Megjithëse komisioni ishte formuar kundërligjshëm, sipas Prokurorisë Lipovica dyshohet se kishte anashkaluar dy anëtarët e Komisionit dhe e kishte përfshirë Ridvan Muharremin në rolin e ndërmjetësuesit mes Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë nga Turqia për blerjen e grurit.
ipas Prokurorisë, pavarësisht se pagesat ishin bërë 100 për qind me operatorët ekonomikë nga Turqia e Polonia, gruri, vaji e sheqeri, nuk erdhën.
Porosia prej 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer nuk kanë ardhur fare pavarësisht se pagesat ishin bërë avans.
Ndërsa për gjithë grurin e kontraktuar ishin paguar 4 milionë e 834 mijë e 778 euro derisa në Kosovë nuk kanë mbërritur 52.5 tonë grurë.
“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.
Lipovica dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” nga neni 414 i Kodit Penal.
Gara kërkoi kundërligjshëm anashkalimin e procedurave të prokurimit
Sikurse Lipovica, edhe Haviz Gara dyshohet se si Drejtor i Departamentit të Rezervës Shtetërore, ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe kundërligjshëm ka kërkuar përmes kërkesës nga i pandehuri Lipovica që të anashkalohen procedurat e prokurimit për blerjen e mallrave për rezervat shtetërore.
Sikurse Lipovica, edhe Gara dyshohet se kërkesën për anashkalimin e procedurave të prokurimit e ka bërë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.
Gara dyshohet se i kishte anashkaluar anëtarët e Komisionit dhe kishte lejuar Ridvan Muharremin të luante rolin e ndërmjetësuesit të Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore me operatorët në Turqi e Poloni.
Porosia prej 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer me çmim prej 276 mijë euro nuk kanë ardhur fare pavarësisht se pagesat ishin bërë avans.
“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria. /Demokracia.com/