Wednesday, February 5, 2025
No menu items!
spot_img
BallinaBlogDyshime për ligjshmërinë dhe konflikte interesi në tenderin 100 mijë euro të...

Dyshime për ligjshmërinë dhe konflikte interesi në tenderin 100 mijë euro të NH “Ibër Lepenc”, që drejtohet nga Faruk Mujka

Një tender i shpallur nga Ndërmarrja Publike Qendore “Iber Lepenc” në vlerë prej 100 mijë euro për rivlerësimin e aseteve publike ka hedhur dyshime të forta mbi procedurat e ndjekura dhe ligjshmërinë e vlerësimit të ofertave. Ankesa e një grupi operatorësh ekonomikë të eliminuar nga gara ka zbuluar një sërë parregullsish që prekin jo vetëm përmbushjen e kritereve teknike e profesionale, por edhe çështje të ndjeshme si konflikti i interesit dhe manipulimi me dokumente, shkruan Demokracia.com.

Lidhur me tenderin “Rivlerësimi i Aseteve në Ndërmarrjen Publike NH “Iber Lepenc” Sh.A” për kontratën është rekomanduar oferta më e shtrenjtë për rreth 14 mijë euro e Grupit të Operatorëve Ekonomikë “Pro Ace Group SH.P.K.; H & N SH.P.K.; NIKA Pro-Ing SH.P.K.”, me vlerë 89,900.00 euro. Ndërsa, është eliminuar si ofertë e papërshtatshme ajo e Grupit të Operatorëve Ekonomikë “ProAudit SH.P.K.; LEGAL SOLUTION COMPANY SH.P.K.”, me arsyetimin se nuk plotësonte kushtet.

Menjëherë kompanitë e eliminuara kanë dorëzuar kërkesë për rishqyrtim tek Autoriteti Kontraktues (AK) -NH “Iber Lepenc” Sh.A., duke pretenduar dhe qartësuar se grupi i kompanive i shpallur fitues është i papërshtatshëm për dhënien e kontratës. Kërkesa përmbante gjashtë pika ankimore, ku theksohej se pjesa dërrmuese e stafit profesional të kërkuar sipas dosjes së tenderit nuk përmbushte kërkesat minimale të përshtatshmërisë, përfshirë pozicionin kryesor “udhëheqës – menaxher i caktuar i projektit”.

Autoriteti Kontraktues hodhi poshtë të gjitha pretendimet e tyre. Pas këtij refuzimi, kompania iu drejtua Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me të njëjtat pika ankimore. Si rrallëherë, kompania ankimuese ngarkoi dokumentet e ofertës së operatorëve ekonomikë fitues, duke pretenduar se ato nuk përmbushnin kriteret që vetë ndërmarrja kishte vendosur.

Demokracia.com bazuar në këto dokumente dhe kërkesat e vendosura nga “Iber Lepenci”, verifikoi këto pretendime dhe siç shihet nga to, oferta e shpallur fituese është e papërgjegjshme. Për më tepër, dokumentet tregojnë se kompanitë fituese kishin përfshirë në listën e stafit profesional edhe persona që janë të punësuar si zyrtarë publikë, përfshirë zyrtarë të prokurimit.

Pra, një nga pikat më të forta ankimore ka të bëjë me përfshirjen e Izahir Kuka, zyrtar i lartë i prokurimit në Komunën e Kaçanikut në këtë komuna që nga viti 2004, në listën e stafit profesional të ofertës fituese. Sipas dokumenteve të ngarkuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), z. Kuka më herët ka nënshkruar një kontratë pune me kompaninë NIKA Pro-Ing SH.P.K., e cila është pjesë e grupit fitues, për realizimin e projektit në rast se tenderi i shpallet këtij grupi.

Për më tepër, Kuka ka nënshkruar më parë një kontratë tjetër me të njëjtën kompani për një projekt në Komunën e Kaçanikut, duke ngritur dyshime të forta për konflikt interesi. Formulari i deklarimit të pasurisë së tij për vitin 2024 tregon se ai ka deklaruar të ardhurat e tij vetëm si zyrtar publik, duke mos përmendur ndonjë angazhim tjetër profesional. Kjo ngre dyshime serioze mbi besueshmërinë e referencave të dorëzuara dhe përputhshmërinë me Ligjin për Prokurimin Publik.

Një tjetër pikë e fortë ankimore lidhet me mangësitë në referencat e stafit të propozuar nga grupi fitues:

Projektmenaxheri Hysen Ramabaja, i cili është paraqitur si auditor ligjor, nuk ka dorëzuar dëshmi për realizimin e një projekti të ngjashëm me atë të kërkuar në dosjen e tenderit. Referenca e tij është lëshuar nga vetë kompania që ai drejton, duke e bërë të pavlefshme sipas rregullave të prokurimit.

Izahir Kuka, siç përmendet më lart, nuk përmbush kërkesat për përvojën trevjeçare të kërkuar në fushën e hidros.

Ardian Morina, i caktuar për teknologjinë informative, ka dorëzuar referenca që nuk mbulojnë periudhën trevjeçare të kërkuar dhe që janë lëshuar para përfundimit të angazhimit.

Një detaj tjetër i rëndësishëm është prezantimi i dy polisave të ndryshme të sigurimit nga grupi fitues. Polisa e parë përfshinte vetëm dy operatorë ekonomikë, ndërsa e dyta e dorëzuar në një datë të mëvonshme, përfshinte një operator të tretë. Ky veprim ka ngritur dyshime mbi seriozitetin e ofertës dhe integritetin e procedurave.

Përveç konfliktit të interesit dhe problemeve me stafin, ankuesit kanë ngritur pretendime për shkelje të drejtpërdrejta të Ligjit për Prokurimin Publik. Sipas tyre, komisioni vlerësues nuk ka respektuar kriteret për vlefshmërinë e ofertave dhe ka anashkaluar parimet e barazisë në trajtim dhe transparencës. Për shembull, oferta e shpallur fituese kishte vlefshmëri për 60 ditë, ndërsa kërkesa e tenderit ishte për 90 ditë.

Pikat ankimore

Pika ankimore 1

Në Fletën e të Dhënave të njoftimit për kontratë, tek “Kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale” (pikat 9.1 dhe 9.2), kriteri i përzgjedhjes është përshkruar si vijon:

  • “Një (1) udhëheqës – menaxher i caktuar i projektit, përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve dhe sigurimin e përfundimit në kohë. Udhëheqësi i projektit duhet të jetë auditor ligjor dhe të ketë së paku 5 vite përvojë pune në auditim.”

Ndërkohë, i njëjti kriter tek “Përbërja e grupit” në specifikimet teknike është përshkruar ndryshe:

  • “Një (1) udhëheqës – menaxher i caktuar i projektit, përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve dhe sigurimin e përfundimit në kohë. Udhëheqësi i projektit duhet të jetë auditor ligjor, të ketë së paku 5 vite përvojë pune në auditim, si dhe të dëshmojë me referenca se ka kryer së paku një projekt në rivlerësimin e aseteve”.

Moskoherenca dhe paqartësia në përshkrimin e këtij kriteri të përzgjedhjes bien në kundërshtim me kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) dhe legjislacionin sekondar, duke ndikuar në kufizim të paarsyeshëm të konkurrencës.

Nga ana tjetër, Demokracia.com ka gjetur se ky kriter ka qenë i kundërligjshëm, por operatorët ekonomikë nuk janë ankuar në fazën e sqarimeve shtesë. Kjo sepse, sipas praktikës, kërkesa për një vlerësim ekspert gjyqësor nuk është e domosdoshme dhe rrallëherë kërkohet në këtë fazë, pasi ky është një hap i rezervuar për gjykatat dhe jo për procesin e vlerësimit të ofertave.

Pika ankimore 2

Një pikë tjetër ankimore e ngritur dhe e mbështetur me dokumente nga kompania ankimuese thekson se Hysen Ramabaja, i caktuar si projektmenaxher, është auditor ligjor. Megjithatë, ai nuk ka ofruar dëshmi/reference se ka realizuar së paku një kontratë për rivlerësimin e aseteve.

Përveç kësaj, referenca e datës 20.06.2024, e lëshuar nga OE “H&N SH.P.K.” për Ramabajën është dorëzuar në dosjen e tenderit, por nuk përbën një dëshmi të bindshme dhe konfirmuese për përvojën e tij në auditim. Kjo pasi referenca është lëshuar nga vetë subjekti juridik OE “H&N SH.P.K.” dhe nuk është e nënshkruar nga palë të treta që mund të konfirmojnë se Ramabaja apo kompania kanë ofruar shërbime profesionale të auditimit.

Për më tepër, duke marrë parasysh se Ramabaja është drejtor dhe person i autorizuar i OE “H&N SH.P.K.”, mund të konkludohet se referenca është lëshuar nga ai vetë për veten e tij, gjë që bie në kundërshtim me objektivin e përcaktuar nga Autoriteti Kontraktues.

Pika ankimore 3

Izahir Kuka, inxhinier i ndërtimtarisë me drejtim në hidros, nuk ka ofruar referenca të mjaftueshme për të dëshmuar përvojën trevjeçare të kërkuar në fushën e hidros, sipas dosjes së tenderit. Referencat e ofruara nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë (GOE) për Kuka mbulojnë vetëm një periudhë prej 2 vitesh, 6 muajsh dhe 21 ditësh (nga data 20.04.2022 deri më 10.11.2024), duke mos përmbushur kriterin e përcaktuar.

Një nga referencat mban datën 10.11.2024, që është pas afatit të fundit për dorëzimin e tenderëve (30.10.2024). Po ashtu, referencat e lëshuara nga kompanitë “InvestPro” dhe “NikaPro” nuk përputhen me CV-në e dorëzuar nga Kuka.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë për vitet 2023 dhe 2024 pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, Kuka ka deklaruar se është “Zyrtar i Lartë i Prokurimit” në Komunën e Kaçanikut që nga 01.06.2004. Në deklarim ai ka shënuar se nuk ka të ardhura të tjera personale, gjë që ngre dyshime mbi saktësinë dhe besueshmërinë e referencave të dorëzuara për të. (DOKUMENT)

Më tej, z. Kuka ka nënshkruar kontrata në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Komunën e Kaçanikut me OE “NIKA Pro-Ing SH.P.K.”, ndërkohë që ka firmosur edhe një kontratë të re si pjesë e GOE për realizimin e tenderit për “Rivlerësimin e Aseteve në NH ‘Iber Lepenc’.” Kjo situatë krijon konflikt të interesit dhe ngre shqetësime serioze për përputhshmërinë me rregulloret e prokurimit publik.

Pika ankimore 4

Ardian Morina – Teknologjia Informative: Referencat e prezantuara nuk mbulojnë përvojën e kërkuar në dosjen e tenderit për një periudhë prej tre viteve. Data e lëshimit të referencave nuk është në harmoni me periudhën për të cilën ato janë dhënë.

Për shembull, kompania AFA-Ing ka lëshuar një referencë më datë 02.03.2018, ndërsa periudha e deklaruar për referencën është 29.06.2015 – 26.03.2018. Kjo tregon se data e lëshimit të referencës është para përfundimit të periudhës së mbuluar nga referenca. Për më tepër, periudha e mbuluar nga kjo referencë është 2 vite, 8 muaj dhe 26 ditë, dhe jo tre vite siç kërkohej në dosjen e tenderit.

Gjithashtu, referenca e lëshuar nga kompania X Sh.P.K. përmban datën 20.03.2016, por mbulon periudhën 2014–2018. Edhe kjo referencë është lëshuar përpara datës së përfundimit të angazhimit. Referencat duhet të jenë dëshmi që vërtetojnë se angazhimi është përfunduar me sukses, por në këtë rast lëshimi i referencave përpara përfundimit të periudhës ngre dyshime mbi seriozitetin dhe saktësinë e tyre.

Pika ankimore 5

Qemail Qehaja – Inxhinier i diplomuar i Makinerisë: Referencat e dorëzuara nga Qehaja në ofertën e Grupit të Operatorëve Ekonomikë (GOE) nuk përputhen me CV-në e prezantuar dhe të nënshkruar nga vetë ai.

Për shembull, është dorëzuar një kontratë e nënshkruar nga Qehaja me OE “NIKA Pro-Ing SH.P.K.” më datë 26.02.2024, ndërsa referenca e tij për angazhime në projekte për periudhën 2017–2022 është lëshuar në vitin 2023. Kjo referencë nuk është e mbështetur në kontrata të plota dhe angazhimi për të cilin është lëshuar referenca nuk është i dokumentuar në CV-në e tij.

Pika ankimore 6

Procesi i vlerësimit të ofertave për aktivitetin e prokurimit “Rivlerësimi i Aseteve në Ndërmarrjen Publike NH ‘Iber Lepenc’ Sh.A.” nuk është kryer siç duhet. Kjo dëshmohet edhe nga raporti i vlerësimit, ku thuhet se vlefshmëria e ofertës së GOE “Pro Ace Group SH.P.K.; H & N SH.P.K.; NIKA Pro-Ing SH.P.K.” është dhënë për një periudhë 60-ditore, ndërsa dosja e tenderit kërkonte një vlefshmëri prej 90 ditësh. (Ankesa më të gjitha dokumentet)

Pika ankimore 7

Në ofertën e GOE “Pro Ace Group SH.P.K.; H & N SH.P.K.; NIKA Pro-Ing SH.P.K.” janë dorëzuar dy polisa të sigurimit të tenderit me data dhe përmbajtje të ndryshme.

Polisa e parë është lëshuar më 28.10.2024 me numrin e polisë 060010330097844, ndërsa e dyta është lëshuar më 30.10.2024 me numrin 060010330097780.

Polisa e parë është dorëzuar së bashku me ofertën, ndërsa e dyta është ngarkuar në platformën e-prokurimit para publikimit të vendimit për dhënien e kontratës.

Një tjetër dallim midis dy polisave është përbërja e GOE: Në polisan e parë janë përmendur vetëm “Pro Ace Group SH.P.K.” dhe “H & N SH.P.K.,” ndërsa në të dytën është shtuar edhe “NIKA Pro-Ing SH.P.K.”

Pika ankimore 8

Behar Januzi, ekspert gjyqësor për vlerësimin e pronave të paluajtshme, sipas Aktvendimit nr. CN.ru.298/20 të datës 02.08.2022 nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është kritikuar për mungesë profesionalizmi. Në aktvendim është refuzuar propozimi për shpronësim në shumën totale prej 524,624.00 euro, e cila bazohej në mendimin e ekspertit Januzi. Ky vendim tregon se Januzi nuk ka një nivel të lartë profesional gjatë ushtrimit të profesionit të tij si vlerësues i pronave.

Pra, bazuar në dokumentin që e ka parë Demorkacia.com, Januzi ka dashur të dëmtojë shtetin për 536000 euro, por nuk ja ka dal (DOKUMENT)

Bazuar në këto çështje të ngritura, procesi i vlerësimit të ofertave për aktivitetin e prokurimit “Rivlerësimi i Aseteve në Ndërmarrjen Publike NH ‘Iber Lepenc’ Sh.A.” nuk është kryer në përputhje me kriteret e përzgjedhjes të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).

Por të rikthehemi krejt në fillim edhe një herë. “Ibër Lepenci” kishte hapur ofertën për këtë tender më 23 gusht 2023.

Kompania që tani është rekomanduar për kontratë, Pro ACC, kishte bërë kërkesë për rishqyrtim te ndërmarrja, duke pretenduar se ishin vendosur një varg kriteresh të kundërligjshme. Ndërmarrja qendrore i kishte hedhur poshtë të gjitha pretendimet. Pas kësaj, më 13 shtator, kompania iu drejtua OSHP-së. Ky organ autorizoi ekspertin e vet shqyrtues për të analizuar pretendimet, dhe eksperti konstatoi shkelje, duke autorizuar bordin e vet që të detyronte “Ibër Lepencin” të përmirësonte ato kritere.

Pak para se bordi të merrte një vendim, kompania Pro ACC e tërhoqi ankesën, pasi ndërmarrja u pajtua me gjetjet e ekspertit dhe bëri korrigjimin e disa prej kritereve. Por, a janë korrigjuar ato kritere në të gjitha pikat ashtu siç pretendonte pala ankuese? Kjo mbetet e paqartë, pasi paneli miratoi marrëveshjen mes palëve pa shqyrtuar pretendimet.

Pajtimi i arritur mes palëve nuk bie ndesh me parimet bazë dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës dhe nuk e cenon pavarësinë institucionale të AK-së për të zgjidhur çështjen kontestuese, meqë natyra e çështjes e lejon këtë në rastin konkret, mes të tjerash, konform nenit 19, paragrafi 4 të Rregullores së Punës së OSHP-së Nr. 01/2020 (e amandamentuar)”,  ka konsideruar paneli.

Demorkacia.com më datë 27 nëntor i është drejtuar kompanisë publike  “Ibër Lepenc” lidhur më këto pyetje: se është kërkuar angazhimi i një eksperti gjyqësor për vlerësimin e pronave, kur licencimi i tyre bëhet nga Ministria përkatëse dhe jo nga KGJK? A është kjo praktikë e zakonshme, duke pasur parasysh se shumë ekspertë gjyqësorë nuk aplikojnë vullnetarisht për licencim?

“Pse keni vendosur për kompaninë Pro ACC edhe pse nuk i plotëson kriteret e kërkuara nga tenderi?

Në fund të vendimit për refuzim, pse është përmendur emri i operatorit Pro ACC si i refuzuar, ndërkohë që më pas është shpallur fitues i tenderit?

A e keni pyetur Gjykatën për të verifikuar sa vlerësime ka kryer eksperti Behar Januzi për Gjykatën, sa prej tyre janë pranuar dhe sa janë refuzuar?”.

Kjo ndërmarrje që është nën autoritetin e Qeverisë së Kosovës nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. /Demokracia.com/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com