Thursday, March 13, 2025
No menu items!
spot_img
BallinaBlogBanorët e Rashincës refuzojnë Qemajl Aliun për projektin e ujësjellësit

Banorët e Rashincës refuzojnë Qemajl Aliun për projektin e ujësjellësit

Shtime, 26 nëntor 2024 – Banorët e fshatit Rashincë kanë ngritur shqetësim ndaj punimeve për ujësjellësin që po zhvillohen në territorin e tyre. Në një ankesë të postuar në rrjetin social Facebook, mirëpo e dorëzuar edhe më herët në Komunën e Shtimes, ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mënyrën e zhvillimit të punimeve dhe ndikimin që ato kanë në burimet ujore të fshatit. shkruan /Shtime Press.

Sipas tyre, projekti i nisur së fundmi ka për qëllim të sigurojë furnizimin me ujë për qytetin e Shtimes dhe disa fshatra përreth, ndërsa Rashinca dhe banorët e saj vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Banorët theksojnë se asnjë konsultim serioz nuk është bërë me ta para fillimit të projektit dhe se fshati ka mbetur në harresë që nga momenti kur burimet e veta ujore iu vunë në shërbim fshatrave të tjera.

Sipas ankesës, në fillim të viteve 2000, organizata ndërkombëtare OXFAM, e mbështetur nga USAID-i, ndërtoi puse dhe një rezervuar në Rashincë për furnizimin me ujë të dy fshatrave: Rashinca dhe Vojnovci. Por me kalimin e viteve, rrjeti i ujësjellësit u zgjerua edhe në fshatrat e tjera përreth, si Davidovci, Muzeqina, Gllavica dhe Gjurkovci, duke tejkaluar kapacitetin e puseve dhe rezervuarit fillestar.

Nga ai moment, banorët e Rashincës thonë se kanë mbetur pa ujë të mjaftueshëm dhe janë detyruar të hapin puse të reja për nevojat e tyre. Përpjekjet për zgjidhjen e problemit përmes një rezervuari të dytë të ndërtuar rreth vitit 2015 nuk kanë ndryshuar situatën.

Me fillimin e punimeve të reja në gusht të këtij viti, banorët ngritën alarmin, duke e parë projektin si një kërcënim të mëtejshëm për burimet e tyre ujore. Ata organizuan takime, një protestë dhe dorëzuan një peticion me 226 nënshkrime në Komunën e Shtimes, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Megjithatë, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh, dhe çështja nuk ka hyrë as në rendin e ditës në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale.

Në një takim të mbajtur së fundmi mes banorëve dhe përfaqësuesve të Komunës, përfshirë kryetarin Qemajl Aliu dhe zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU), banorët shprehën pakënaqësitë e tyre. Ata deklaruan se “asnjë dokument bindës nuk u prezantua” dhe se qëndrimi i zyrtarëve la shumë për të dëshiruar.

Kërkesa e Banorëve: Ndalimi i punimeve

Banorët janë të vendosur që punimet duhet të ndalen menjëherë. Ata nuk duan ujë që nuk e përdorin për pije dhe nuk pranojnë që burimet e tyre të shterohen për nevoja të tjera. Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata paralajmërojnë veprime të mëtejshme juridike për mbrojtjen e interesave të fshatit të tyre.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi dhe respekt për nevojat tona bazike. Mos na merrni në qafë ne dhe pasardhësit tanë,” përfundojnë banorët në ankesën e tyre drejtuar Komunës përmes rrjetit social Facebook. /Shtime Press.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com