Koalicioni “Demokracia në Veprim” e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për rritjen e pensioneve dhe pagave në kohë të parafushates zgjedhore.
Ky koalicion që monitoron zgjedhjet ka vlerësuar se marrja e këtyre vendimeve në kohë të parafushates zgjedhore shpërfaqin një model të rrezikshëm të përpjekjes për të ndikuar votuesit nëpërmjet fondeve publike.
“Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë disa vendime me ndikim social të konsiderueshëm, siç është rritja prej 20% e pensioneve për kategori të ndryshme (e cila hyri në fuqi në tetor), rritja e pensioneve për kategoritë e luftës (e cila është planifikuar të hyjë në fuqi nga muaji janar), si dhe rritja e pagës minimale nga 264 në 350 euro. Ditëve të fundit është marrë vendimi për rritjen e pagave në sektorin publik. Kështu, pagat për shërbyesit publikë janë planifikuar të rriten me nga 55 euro nga janari i vitit 2025 e pasuar nga një rritje të dytë prej 55 eurosh nga korriku i vitit të ardhshëm. Masat financiare, që pritet të hyjnë në fuqi pak kohë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 shpërfaqin një model të rrezikshëm të përpjekjes për të ndikuar votuesit nëpërmjet fondeve publike. Pra, koha dhe mënyra e marrjes së vendimeve të tilla, jo vetëm që dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor, por vënë në dilemë edhe përkushtimin e qeverisë ndaj parimit demokratik të garës së barabartë zgjedhore”, ka vlerësuar DnV-ja.