Është liruar nga paraburgimi Hafize Sallahu, drejtoresha e Kaçanikut dhe kryetarja e Degës së AAK-së. Ajo së bashku me vëllanë e saj ishin arrestuar para dy ditësh nga Policia e Kosovës nën dyshimin për ryshfet.
Për te raportohej se kishin pranuar ryshfet nga kandidatë të ndryshëm për t’ua mundësuar marrjen e patentëshoferëve për kategorinë “B” dhe “C” pa iu nënshtruar testeve.
Ata dyshohen për veprat penale; “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Po ashtu janë kontrolluar dy zyra ku kanë sekuestruar dy telefona mobilë, pesë regjistratorë- libra, shtatë fletore regjistrimi, interne dhe xhepi, 64 dosje origjinale të kandidatëve, 21 certifikata mjekësore të shoferëve profesionalë për punë.
Të dyshuarit ishin ndaluar për 48 orë.
“Pas përfundimet të bastisjes, janë shoqëruar dy të dyshuarit e lartcekur me iniciale, të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, i caktuar sipas detyrës zyrtare. Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me prokurorin përgjegjës të rastit në PTHF, ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedurë të mëtejme ligjore. Rasti mbetet nën hetime.” /Indeksonline/