Friday, November 22, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmePërveç izolimit, Kurti do t’i sjellë dëme milionëshe Kosovës me përjashtimin nga...

Përveç izolimit, Kurti do t’i sjellë dëme milionëshe Kosovës me përjashtimin nga CEFTA

Nëse Kosova largohet nga CEFTA, do të humb edhe miliona euro që bëhen vijnë përmes tregtisë së mallrave. Vetëm brenda një muaji, Kosova ka eksportuar 44 milionë euro dhe 74 milionë import me vendet e CEFTA-s.

Kosova mund të përballet me kërkesa për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe masa të tjera ndëshkuese, nëse vazhdon të mbajë ndalimin e importit të produkteve serbe, ka paralajmëruar i dërguari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin.

Nëse Kosova përjashtohet nga CEFTA mund të humb edhe miliona euro qarkullim në vit që bëhen përmes blerjes dhe shitjes së mallrave.

Vetëm muajin e kaluar vend ynë ka eksportuar mallra në vlerë të afro 44 milionë eurove në katër shtete që janë pjesë e CEFTA-s, shkruan Demokracia.com.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 43,7 milionë euro, ose 52,3% të eksporteve të  përgjithshme, me një rritje prej 63,3%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin:  Shqipëria (24,1%), Maqedonia e Veriut (17,1%), Serbia (6,2%), Mali i Zi (3,6%)”, thuhet në publikimin e fundit që ka bërë Agjencia e Statistikave.

Edhe vlera e importit të mallrave është e madhe.

Vendet nga të cilat hyjnë mallrat në Kosovë janë thuajse të ngjashme edhe me ato vende ku shesim.  Vlera totale e importit të mallrave në muajin e kaluar ka qenë afro 75 milionë euro, shkruan Demokracia.com.

“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 74,5 milion Euro, ose 12,8% të importeve të përgjithshme,  me një rritje prej (1,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,2%),  Maqedonia e Veriut (4,8%), Serbia (1,5%)”.

Deficiti tregtar i Kosovës është vetëm duke u rritur nga muaji në muaj,

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 9,4% në muajin gusht 2024, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 498,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 455,8 milionë euro në vitin 2023.

Në një intervistë për Ballkan Insight, i dërguari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, paralajmëroi se Kosova rrezikon izolim më të thellë.

“Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon të ndalojë importet serbe”.

Më 5 shtator, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Sarrazin në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një afati të shkurtër kohor, i kishte kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të heq ndalimin e vendosur në qershor 2023 për importin e produkteve me origjinë serbe, për të cilën Sarrazin thotë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe po pengon CEFTA-n.

“Në këmbim të heqjes së ndalimit, Kosova nuk do të përfaqësohej më zyrtarisht në kuadër të CEFTA-s nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do të përfaqësohej vetë”.

Megjithatë, sipas tij, emri i saj do të shkruhej si Kosovë*, që të çonte në një fusnotë ku thuhet se statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur përfundimisht sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur atë si shtet të pavarur.

Qeveria e Kosovës deri tani nuk ka bërë ndonjë lëvizje pas këtyre deklaratave.

Vetëm se të premten përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, Qeveria tha se po punon për zhbllokimin e CEFTA-s.

“Në drekën e ftuar dje nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Kurti ka shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja në kuadër të këtij procesi, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në Berlin dhe Tiranë”, tha Kryeziu.

Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke qortuar kërkesat e artikuluara dhe paralajmërimet e dhëna nga emisari gjerman për rajonin, Manuel Sarrazanin, tha se janë dy gjëra që nuk lidhen me njëra-tjetrën.

“Tash në aspektin e sigurisë po ndërlidhet çështja me elementin tregtar, janë dy elemente të cilat nuk lidhen njëra me tjetrën”.

Kusari-Lila para gazetarëve hodhi akuza se Gjermania nuk bën që të vendos “gjithmonë standarde më të rënduara” për Kosovën dhe se duhet parë te Bosnje-Hercegovina, e cila nuk e ka zbatuar marrëveshjen për lëvizje të lirë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Pas kidnapimit të tre policëve me 14 qershor 2023, Kosova ka vendosur bllokim të produkteve serbe për arsye të sigurisë. Lëvizja e cila ka ndodhur në kufirin verior të Kosovës, ka prezantuar rrezik të sigurisë, kontrabandës dhe mundësi tjera të shkeljes së sovranitetit. Nuk kanë qenë çështje tregtare, por çështje të sigurisë”, ka thënë ajo.

Çështjen e bllokimit të CEFTA-së nga ana kosovare, Kusari-Lila tha se “në njëfarë mënyre po e ndërlidhin me Procesin e Berlinit”.

“Kërkojmë që standarde të njëjta të aplikohen për to, të mbajnë përgjegjësi të gjitha shtetet, e jo gjithmonë që të ketë standarde më të rënduara për Kosovën”.

Kosova rrezikon të mos e gëzojë edhe fondin 6 miliardësh – Plani i Rritjes – që BE ndan për rajonin në formë grantesh dhe kredish të buta, nga ku për Kosovën supozohet të jenë diku një miliard.

Për Kosovën, pjesëmarrja në Fondit e Rritjes më herët ishte thënë se kushtëzohet me heqjen e ndalesës së mallrave serbe, si dhe “qasjen konstruktive në dialog”, gjë që do të vlerësohej ose jo përmes një raportimi të Fascilituesit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kohëve të fundit, Ministrja e Gjermanisë për Evropë, Anna Luhrman, ka pasur po ashtu qortime të ashpra ndaj qeverisë kosovare se Kosova rrezikon ta dështojë Procesin e Berlinuit.

“Bllokimi i organizatës rajonale CEFTA rrezikon të dështojë Procesin e Berlinit dhe gjithashtu të parandalojë më tej në bashkëpunimin tonë rajonal”.

Qeveria e Kosovës i ka ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-ës, me arsyetimin se ato po rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe se përmes tyre mund të hyjnë edhe armë në vend. Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk kanë dalë asnjëherë me ndonjë raport vlerësues sesi ka ndikuar kjo masë në nivelin e sigurisë./Demokracia.com/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com