Blendi Fevziu, gazetar dhe moderator i njohur, ka folur për raportet në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në interpretimin e tij, krejt kjo betejë mes Kurtit dhe Ramës “është pa sens”, pasi që të dy janë pjesë e një kombi.
Në një intervistë të shkurtër për Nacionale, Fevziu ka dhënë edhe një detaj interesant, duke rrëfyer se Rama dhe presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i kanë treguar se Kurti nuk ua hap telefonin.
“Me një përplasje politike, intelektuale mes Kurtit dhe Ramës, kush mendon që do të fitonte?” – është pyetja e gazetarit Burim Pacolli, e cila merr një përgjigje të rrufeshme, por me shaka nga ana e Fevziut.
“Kjo është si të përcaktosh kush fiton Luftën e Tretë Botërore” – nis përgjigjën e tij me humor Fevziu.
“Deri tani primatin e shqiptarëve në rajon e ka pasur kryesisht Shqipëria. Edhe Hashim Thaçi, edhe Ibrahim Rugova, nuk kanë pretenduar me ndiku në Shqipëri. Kanë pretendu me pasë aleatë të Shqipërisë në zonat e tyre, por gjithmonë ruanin një hierarki. Kurti erdhi me ambicie shumë më të mëdha për të marrë një lloj patriarku të gjithë shqiptarëve. Që do të thotë edhe në Maqedoni siç ndërhyri, edhe në Mal të Zi, prej nga vjen, edhe në Shqipëri ku tentoi me Vetëvendosjen. Albin Kurti është i pari politikan i Kosovës që tenton të drejtojë pak më gjerë.” – thotë Fevziu.
Në analizën e tij, Fevziu thotë se kjo tedencë e Kurtit hy pastaj në territorin e kryeministrit Rama. Në përgjigjën e tij, Fevziu jep një konkludim ogurzi, duke thënë se raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë janë më të këqijat ndonjëherë.
“Këtu pastaj hy në territorin e Ramës, jo se drejtuesit e tjerë nuk e kanë pasur. Berisha e ka pasur këtë, edhe Fatos Nano në momente të caktuara ka tentuar, por Fatos Nano kishte vështirësi në Kosovë, ku kishte më shumë paragjykime. Shpeshherë ju them që raportet Shqipër – Kosovë janë më të këqijat që kanë pasur ndonjëherë në historinë që mbaj mend unë. S’ka, janë inekzistente” – tha Fevziu.
Madje, Fevziu jep edhe një detaj interesant për të përforcuar argumentin e tij.
“E pyeta kryeministrin, pyeta presidentin kur ndodhi historia e Banjskës, “a keni folur me Kurtin?” Të dy më thanë “nuk naj ngreh telefonin”…Që nga momenti që Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kontakt, lërë kontakt zyrtar, kështu miqësor, buzëqeshje, dorë të hedhur në qafë, Rama që i kap sytë nga prapa. Këto janë shou mediatik. Ne po flasim për kontakte reale. Unë jam dëshmitar se si ka funksionuar raporti mes Shqipërisë dhe Kosovës, edhe në momente të tensionuara.” – tha Fevziu.
“Edhe unë po ta them. Kjo është betejë pa sens. Betejë për çfarë? Dy njerëz, të dy pjesë e një kombi, që s’ka asgjë për të ndarë. Në një betejë kot, nuk ka fitues” – konkludoi Fevziu/ Demokracia.com/