Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) i kanë bërë thirrje qeverisë që të jetë vigjilente në përmbushjen e kushteve që i janë vendosur Kosovës, në mënyrë që vendi të mos humbas shansin që të përfitojë nga fondi 6 miliardë euro i Bashkimit Evropian, në kuadër të Planit të ri të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se kërkesa e shefit të zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, që Kosova sa më shpejt ta heqin ndalimin e produkteve serbe në mënyrë që të përfitoj nga ky plani, duhet të shqyrtohet me kujdes nga institucionet e vendit.
Po ashtu, Szunyog ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive që të kenë progres dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se qeveria duhet që të jetë shumë e kujdesshme sa i përket implementimit të planit zhvillimorë në mënyrë që t’i përmbush kushtet të cilat kërkohen për të përfituar në ky plan.
Kjo pasi sipas tij, nëse vendi dështon në përmbushjen e kushteve, mjetet e dedikuar për Kosovën i shkojnë vendeve fqinje.
“Po ne edhe më herët kemi kërkuar që të jemi shumë të kujdesshëm sa i përket implementimit të planit zhvillimorë dhe qoftë se ne e humbin hapin ose nëse nuk i përmbushim kushtet të cilat na kërkohet, atëherë këtu nuk do të jetë vetëm humbje kohë siç na ka ndodhur te liberalizimi i vizave, që humbëm kohën për dhjet vite, sepse këtu do të humbasim edhe materialisht për arsye se shuma e mjeteve që është e paraparë për Kosovën, në rast që nuk arrihet me u shpenzuar për shkak se nuk i ke plotësuar kushtet ajo shumë e mjeteve ju shpërndahet vendeve të Ballkanit, përfitojnë vendet tona fqinje. Për këtë arsye ne duhet të jemi shumë të përpiktë në plotësimin e kushteve që kërkohet dhe të jemi në koherencë me gjitha vendete e tjera gjatë fazave të implementimit që mos të ngecim. Në planin zhvillimorë është bërë shumë e qartë që në rast se një shtet nuk i plotëson kushtet do ta ndalë vetën. Për këtë arsye kërkesa jonë vazhdon që ne të jemi shumë të përpiktë edhe OEK-u për pjesën brenda kompetencave edhe mundësive që i ka do të jetë 24 orë në shtatë ditë të punës për ti ndihmuar institucionet për plotësimin e kushteve”, ka thënë ai.
Sa i përket kërkesës së BE-së që Kosova ta heqë sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe, Rafuna ka thënë se qeveria duhet ta shqyrtojë edhe një herë këtë masë të vendosur.
“Ne kemi kërkuar edhe më herët që të jemi të kujdesshëm dhe ta rishqyrtojmë këtë masë, për arsye se një edhe nënshkrues të shumë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe duhet t’i respektojmë ato marrëveshje. Mirëpo ne e kemi edhe një problem tjetër, për arsye se shumë kompani që prodhojnë mallra në Serbi, vijnë prej Gjermanisë, Austrisë dhe shumë vendeve Evropiane që e kanë mbështetur Kosovën në gjitha fazat e zhvillimit të saj dhe mua më kanë thënë në mënyrë shumë të qartë që de-facto ai mall eksportohet prej Serbisë, mirëpo de-jure ai mall është i prodhuar prej kompanive tona dhe ne kemi kontribuar në zhvillimin e Kosovës prej viti 2002. Për shkaka se këto kompani të huaja të cilat gjinden në Serbi kanë filluar që të ankohen pranë qeverive të tyre dhe këtë shqetësim e vendeve të BE-së më kanë shprehur dhe kërkoj që të jemi shumë të kujdesshme dhe ta shqyrtojmë këtë masë për arsye se e ki liruar lëndën e parë, gjysme produktin, pajisjet meridionale, sa ja vlejnë më me majte në fuqi këtë masë”, ka thënë ai.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë se për vendet e Ballkanit është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi ekonomik, pasi sipas tij, vetë integrimi në BE nuk mund të ndodh pa pasur një integrim të mirëfillte brenda vetë rajonit.
Ai është shprehur se Kosova dhe Serbia janë dakorduar për një marrëveshje të cilën duhet ta zbatojnë në praktikë.
“Vetë fakti që synimi i Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimorë është integrimi në BE, e në qoftë se e përktheni ndryshe, BE-ja nënkupton tregun e përbashkët të BE-së. Kjo nënkupton më së mirë se sa është i rëndësishmi bashkëpunimi ekonomik dhe integrimet ekonomike që mund të ndodhin brenda këtyre vendeve. Integrimi në BE nuk mund të ndodh pa pasur një integrim të mirëfillte brenda për brenda vetë rajonit. Është parakusht, nuk është parakusht vetëm për ne ka qenë parakusht edhe për Evropën Lindore paraprakisht. Tash më ka një marrëveshje të arritur edhe mese dy vendeve, si Serbia edhe Kosova, e cila duhet të zbatohet në praktikë”, ka thënë ai.
Ujkani thotë se Kosova e Serbia janë kushtëzuar nga BE-ja, që nëse dëshirojnë që të përfitojnë nga plani i zhvillimit duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar.
“Ju e dini se secilit vende veçohen veç e veç në agjendën evropiane, mirëpo nëse kujtojmë para një muaji, tashmë KiE ka nxjerre konkluzione konkrete të cilat e kushtëzojnë veçanërisht vendet tona, si Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara në implementim të marrëveshjes dhe planit të Ohrit, në qoftë se dëshirojnë të bëjnë progres në agjendën Evropianë. Atje thonë për planin për rritje, por duhet ta keni parasysh që plani i rritjes është pjesë e agjendës evropiane. Këto kërkese nuk kanë qenë deri tani, janë përmendur aty këtu, por jo të formalizuara. Keni dokument i cili në mënyrë shumë eksplicite i vendos kushte, ju e dëgjuat edhe ambasadorin e BE-së që tha se BE ka vendosur kritere për të dy vendet, që nëse dëshirojnë të përfitojnë nga plani për rritje, i cili është instrument i vetë agjendës Evropianë, ato për të përfituar nga këto duhet të zbatojnë marrëveshjet që janë dakorduar”, ka thënë ai.
Ekonomia Online ka provuar që të marr edhe një qëndrim nga institucionet shtetërore në lidhje më këto kërkesa të BE-së, por që të njëjtit deri në publikim e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.
Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.
Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore