Komuna e Shtimes, nën drejtimin e kryetarit Qemajl Aliu, ka shkelur kriteret e subvencionimit për ndarjen e 30 mëshqerrave të racës Holstein-Frizis, të dedikuara për mbështetjen e zhvillimit të bujqësisë. Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, përmes një shpalljeje publike më 03.11.2023, njoftoi për një program të ashtuquajtur “mbështetje për fermerët,” ku një nga kushtet kryesore ishte që përfituesit të mos kenë marrë subvencione nga komuna gjatë tri viteve të fundit. Ky program, që do të duhej të ndihmonte fermerët që kanë vërtetë nevojë, rezulton të jetë kthyer në një paradë përfitimesh familjare. Komuna përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në total, do të shpërndahen 60 meshqerra, me pjesën tjetër që pritet të shpërndahen në pjesën e parë të muajit Nëntor. . Transmeton Shtime Press.
Mirëpo, rastet konkrete flasin më shumë se premtimet boshe. Shaban Ademaj nga fshati Petrovë përfitoi një lopë në këtë ndarje fondesh, por ky nuk ishte përfitimi i vetëm për familjen Ademaj! Vetëm një vit më parë, e reja e tij, Leonora Sali, kishte përfituar një serrë prej 136 m² dhe trajnime nga IADK dhe komuna, ndërsa sivjet, vjehrri i saj përfiton sërish një lopë. Në një situatë ku fermerët e tjerë mbeten pa ndihmë dhe të braktisur nga skemat mbështetëse, ky përfitim i dyfishtë për të njëjtën familje është një tallje e hapur ndaj atyre që vërtet kanë nevojë.
Rasti i Fetah Dugollit është një shembull tjetër i favorizimit dhe përbuzjes së kritereve. Në vitin 2022, Dugolli përfitoi mekanizëm bujqësor dhe, me vendim të fundit të datës 25.10.2024 me numër rendor 14, ai përfitoi sërish një lopë nga Komuna. Për më tepër, vëllai i tij kishte përfituar gjashtë krerë dhi në vitin 2022 nga Komuna dhe OJQ “Mëshqerra.” Në vend që ndihmat të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të ndihmohen ata që nuk kanë pasur mundësi të marrin subvencione, këta përfitues të privilegjuar po sfidojnë parimin e ndarjes së barabartë të fondeve. Ndërkohë, fermerët e merituar dhe në vështirësi, që përmbushin kriteret e njoftimit publik, janë lënë mënjanë, duke e kthyer këtë proces në një tregti influencash familjare.
Një shembull tjetër i këtij favorizimi është rasti i Ardita Mustafës, e bija e Fadil Mustafës, e cila kishte përfituar mekanizëm bujqësor në vitin 2022 dhe këtë vit përfitoi sërish një lopë, edhe pse nuk i plotësonte kriteret dhe zotëron më shumë se pesë lopë. Ky përfitim jo vetëm që është jashtë kritereve, por shkel çdo parim të drejtësisë, duke i hequr mundësinë një fermeri të ndershëm që i përmbush të gjitha kushtet.
Drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu, gjithashtu është kujdesur që dy kushërinjtë e saj të përfitojnë lopë nga ky program, edhe pse këta përfitues nuk dihet nëse plotësojnë apo jo kriteret e përcaktuara. Ky akt i hapur favorizimi në shpërndarjen e fondeve publike, duke e kthyer këtë program mbështetës për fermerët në një mjet për të shpërblyer familjarët dhe të afërmit e pushtetarëve.
Ky skandal nuk është vetëm një shkelje e kritereve, por tregon mungesën e transparencës në udhëheqjen e kryetarit Qemajl Aliu, si dhe mungesën e vullnetit për të respektuar rregullat, duke përdorur subvencionet për të favorizuar miqtë dhe familjarët e lidhur. Shtimepress mëson se për këtë program kanë aplikuar rreth 140 fermerë. /Shtime Press.