Ruzhdi Jashari do të marrë 2700 euro nga Komuna e Shtimes për përkthimin e librit të tij në gjuhën rumune, një gjuhë që për çudi nuk flitet as nga qytetarët e Shtimes e as nga publiku më i gjerë në Kosovë. Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, i vetëquajtur edhe si “Çlirimtar”, ka vendosur të shpërblejë ish-kandidatin për kryetar të Komunës së Shtimes nga radhët e Vetëvendosjes me këtë shumë të konsiderueshme, shkruan Demokracia.com.
Drejtoria për Kulturë e Komunës së Shtimes ka ndarë 23 mijë euro për subvencione. Në mesin e atyre që janë shpërblyer është edhe Ruzhdi Jashari. Atij do t’i përkthehet një libër në gjuhën rumune.
Ky vendim ngre pyetje të shumta: kujt i shërben ky përkthim? A është kjo një përpjekje për të pasuruar jetën kulturore të qytetit apo thjeshtë një tjetër shpërblim politik për një bashkëpartiak? Duke marrë parasysh që rumanishtja nuk ka asnjë lidhje me komunitetin lokal, duket se fondet publike po shpërdorohen në projekte që nuk ofrojnë asnjë përfitim për qytetarët.
Demokracia.com ka mësuar se vendimi i komisionit të drejtuar nga Bajram Gashi (kryetar), Hamide Hoxha (anëtare), Faton Shatmani (anëtar i jashtëm si ekspert), Tringa Rushiti (anëtare) dhe Shqiprim Hyseni (anëtar) vendosen për të mbështetur këtë përkthim.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari Qemajl Aliu kritikohet për mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve. Në vitin e kaluar, vendimet e tij për financimin e projekteve, si marrëveshjet financiare me organizata joqeveritare pa ndjekur procedurat ligjore, kanë shkaktuar shumë zhurmë.
Për projektin me AZHR – Qendër, Demokracia.com ka gjetur se janë angazhuar 3 militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Sali Bajrami, Egzon Selmani dhe Ruzhdi Jashari. Pra, ishte favorizuar edhe Jashari, ish-kandidat për kryetar i LVV-së në zgjedhjet 2017 dhe 2 të tjerë nga LDK-ja, përkatësisht Vesa Zeqiri dhe Nexhat Neziraj, anëtar të kryesisë së LDK-së në Shtime. Që të dy, në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë pjesë e strukturave të LDK-së në Shtime. LDK e LVV, siç dihet, janë në bashkëqeverisje në Shtime.
Dhe në mes të gjithë kësaj, një kompani lokale, “Dashnim Jashari BI”, ka fituar pjesën më të madhe të tenderëve publikë, duke forcuar idenë e një monopoli të heshtur brenda komunës. Kompania “Dashnim Jashari BI”, me emër tregtar N.T.P. ,,Ardhmëria” ka krijuar “monopol” në marrjen e tenderëve në Shtime. Pronar i saj është Dashnim Jashari nga Shtimja. Ai është djali i vëllait të Ruzhdi Jasharit, i cili ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës në vitin 2017, por nuk kishte arritur të fitonte. Nga viti 2017 deri në 2020, ai ka mbajtur postin e asamblistit komunal nga LVV-ja.
Duket se përderisa qytetarët përballen me probleme reale, politikanët lokalë janë të zënë duke shpërblyer njëri-tjetrin me projekte që nuk sjellin asgjë konkrete për komunitetin. /Demokracia.com/