Thursday, November 21, 2024
No menu items!
spot_img
BallinaLajmeTelekomi në kolaps, i bllokohen të gjitha llogaritë bankare

Telekomi në kolaps, i bllokohen të gjitha llogaritë bankare

Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës” është futur sot në një kolaps financiar, raporton Demokracia.com.

Kësaj ndërmarrjeje i janë mbyllur të gjitha llogaritë bankare gjatë ditës së sotme, ka mësuar Demokracia.com.

Kjo ndodhi si pasojë e humbjes së rastit në Gjykatën e Arbitrazhit ndaj kompanisë “Z-Mobile”, pasi Telekomi humbi rastin kundër kompanisë “Dardafon.net L.L.C.”. Vendimi i Arbitrazhit lidhet me mosvazhdimin e kontratës ndërmjet Telekomit dhe “Dardafon.net L.L.C.”.

Gjykata e Arbitrazhit e ka obliguar “Telekomin e Kosovës” që të paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net L.L.C.”. Përveç kësaj shume, Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.

Nga kjo shumë prej 10.2 milionë euro, 7 milionë e 590 mijë euro do të paguhen në emër të fitimeve të humbura të “Z-Mobile”, ndërsa Telekomi është i detyruar të paguajë edhe 2 milionë e 680 mijë euro për dëmet e likuiduara të “Z-Mobile”.

Dispozitivi i vendimit tregon se është hedhur poshtë kundërpadia e Telekomit kundrejt “Z-Mobile”.

Në fund të muajit korrik të vitit 2019, Telekomi mori vendim të mos vazhdojë kontratën me kompaninë “Z-Mobile”. Në atë kohë, kryesuesja e bordit të kësaj ndërmarrjeje, Besa Shatri-Berisha, kishte deklaruar se negociatat për lidhjen e një kontrate të re me operatorin telefonik ishin të pasuksesshme.

“Bordi i drejtorëve njofton se, pas një periudhe 6-mujore, nuk është arritur marrëveshje mbi kushtet e reja. Prandaj, sot Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme dhe përfundim të kontratës me ‘Z-Mobile’ nga data 31 korrik”, kishte deklaruar Shatri-Berisha në korrik të vitit 2019.

“Dardafon.net L.L.C.” ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile, ndërsa 90% të aksioneve të kompanisë janë në pronësi të Blerim Devollit. Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës” dhe “Z-Mobile” kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009, sipas së cilës “Z-Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

Që nga ndërprerja e kontratës me “Z-Mobile”, Telekomi i Kosovës ka pasur probleme me borxhet. Mospajtimet ndërmjet palëve përfunduan në Arbitrazh, dhe si rezultat, gjatë vitit 2019, Telekomi përballej me një borxh prej rreth 26 milionë eurosh ndaj “Z-Mobile”. /Demokracia.com/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Recent Comments

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com